Pas dy- tre ditësh, Aleksandar Vuçiq, thotë se pret të shkojë në Bruksel për të vazhduar dialogun me Kurtin. Një vizitë të tillë nuk e kanë konfirmuar nga Qeveria. Zëdhënësi i Zëvendëskryeministrit Bislimi, Klisman Kadiu ka thënë se në momentin që do të ketë diçka, do të ketë informojnë me kohë. Kurti e Vuçiq, për herë të fundit janë takuar më 14 shtator, mirëpo ky takim nuk prodhoi rezultate ndërsa më 24 shtatori ndodhi sulmi në Banjskë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sot ka thënë se pret që pas dy-tre ditësh të shkojë sërish në Bruksel për bisedime me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.
“Pas dy-tre ditësh pres që unë dhe Kurti të shkojmë sërish në Bruksel”, tha Vuçiq në RTS.
Mirëpo, Vuçiq deklaron se nuk mund të flasë më shumë për agjendën, e cila sipas tij është në përputhje me atë që ka diskutuar me “pesëshen e madhe” që ishin në vizitë në Kosovë e Serbi.
“Pas kësaj do të kemi më shumë informacione. E jona është që ta mbrojmë Serbinë nga të gjitha masat e mundshme, por dhe nga shembja e interesave tona kombëtare dhe shtetërore”, tha Vuçiq.
Se a do të shkojë Kurti në Bruksel gjatë kësaj jave, Express e ka pyetur Qeverinë, mirëpo nuk ka marrë një përgjigje konkrete.
Klisman Kadiu, këshilltar për Media i zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, tha se kur të ketë diçka do të lajmërojnë.
“Në momentin që do të ketë diçka, do të informoheni me kohë”, ka thënë Kadiu.
Të shtunën, në Prishtinë dhe Beograd qëndruan përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, përfaqësuesi i lartë i Francës, Emanuel Bonne, i Gjermanisë, Jens Plotner, dhe i Italisë, Alessandro Cattaneo.
Në takimin me pesëshen, sipas një njoftimi të Qeverisë, Kurti ka thënë se prioritet kryesor dhe çështje urgjente për Kosovën është siguria e shtetit dhe e qytetarëve, e kufijve dhe e territorit.
“Pas sulmit terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit të kryer nga grupe paramilitare me sponsorim dhe pjesëmarrje të Serbisë, ndëshkimi është vendimtar për mospërsëritje”, thuhet në njoftim.
Ai ka falënderuar emisarët për planin e ri dhe është pajtuar se diskutimet duhet të vazhdojnë intensivisht.
“Të pesë emisarët ofruan planin e tyre të ri për ecjen përpara, për çfarë Kryeministri shprehu falënderimet dhe vlerësimet e tij. Diskutimet duhet të vazhdojnë intensivisht”, thuhet në njoftim.
Ndërsa, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Lajçak, pas takimit me Kurtin tha se “çfarëdo kushti, apo çfarëdo vonese për normalizimin e marrëdhënieve është e papranueshme”.
“Ne presim nga Kosova dhe Serbia që t’i plotësojnë tërësisht detyrimet e tyre brenda dialogut. Ngjarjet e 24 shtatorit nuk e ndryshojnë faktin se Kosova dhe Serbia bënë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në fillim të këtij viti”, tha Lajçak duke iu referuar sulmit kundër Policisë së Kosovës nga një grup serbësh të armatosur në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Lajçak shtoi se sulmi në Banjskë e ka bërë edhe më të rëndësishëm dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe se ai është rruga e vetme për dy vende me aspirata evropiane.
Në lidhje me dialogun, Lajçak tha se ai dhe katër diplomatët e tjerë erdhën në Prishtinë me një plan, të cilin më pas e diskutuan edhe në Beograd.
Në rast se takohen Kurti dhe Vuçiq gjatë kësaj jave në Bruksel, ky do të jetë takimi i parë pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë, ku disa persona të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës, duke lënë të vrarë rreshterin Afrim Bunjaku, derisa plagosën dy policë tjerë dhe lënduan një.
Takimi i fundit mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel qe më 14 shtator, mirëpo nuk prodhoi rezultate.
Dje Kurti tha se sulmin paramilitar e terrorist në Banjskë të Zveçanit e ka organizuar Klani i Novi Sadit duke theksuar se në krye të tij ndodhet Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviq. Për Vuçiqin tha se është shefi i të gjithëve atje.
“Presidenti i shtetit, Aleksandar Vuçiq, porsi një capo-di-tutti-capi, ndodhet aty për të dëshmuar që ndonëse krimi e dikton shtetin, në fakt, është shteti që e dikton krimin” theksoi Kurti.
DTV