Krasniqi thotë se BE-së “ka kohë që iu ka ndalë sahati”: Vonë i ka ra në mend se Serbia është kalë Troje i Putinit

Profesori universitar, Milazim Krasniqi, ka bërë një shkrim në të cilin shpejgon qasjen e Bashkimit Evropian ndaj politikave të Serbisë.

Sipas Krasniqit, Serbia mbetet shteti ballkanik më i privilegjuar në sy të BE-së, pavarësisht politikave të saj kundër atyre të Evropës.

Ai thotë se BE-ja është serbofile.

Shkrimi i plotë i tij:

Për Bashkimin Evropian në raport me Serbinë, vlen shumë shprehja serbe: “kasno paljenje.”(dhezë me vonesë.) Edhe Bashkimit Evropian vonë i ka ra në mend se Serbia është kalë Troje i Putinit, njësoj si Bellorusia, sa i përket presionit me emigrantë. Serbia ua ka hequr vizat disa shteteve të mëdha, si shpërblim që nuk e njohin Kosovën dhe ashtu i ka nxitë me mijëra njerëz që të vijnë në Serbi e prej andej të infiltrohen në shtetet evropiane.

Edhe pse Serbia mbetet vasale e Rusisë, edhe pse bënë diversion ndaj Bashkimit Evropian në të gjitha frontet, Serbia prapë mbetet shteti ballkanik më i privilegjuar në sytë e Bashkimit Evropian. Kjo serbofili e BE-së e ka vetëm një shpjegim, sado që edhe ai është i palogjikshëm: islamofobia malinje e qarqeve të caktuara e llogaritë Serbinë si aleat për të mbajtur nën kontroll shqiptarët dhe boshnjakët.

Absolutisht nuk ka tjetër shpjegim ky budallallëk në BE, kur favorizon shtetin me prirjen më të fortë antievropiane në Ballkan. Ndërsa, sa u përket shqiptarëve, e sigurt është se jemi kombi më euroentuziast në Ballkan. E sigurt është që edhe boshnjakët, pavarësisht tragjedisë që kanë përjetuar edhe si pasojë e indiferencës dhe komploteve islamofobike evropiane në vitet 90, janë shumë më euroentuziastë, se sa serbët.

Prandaj nuk është e qartë pse BE e lejon Serbinë të zbatojë politika të destabilizimit të rajonit, po edhe te presionit mbi BE-në me emigrantë, gjithsesi për synimet diversioniste të Putinit. Bashkimit Evropian ka kohë që iu ka ndalë sahati. E dëshmoi edhe Borelli para pak ditësh, kur tha se ne nuk besonim se Rusia do ta sulmonte Ukrainën, edhe pse amerikanët na thoshin, “do të sulmojë, do të sulmojë.” O tybe, po të mos ishte SHBA, Putini me ndihmën e Bjellorusisë dhe të Serbisë e kish kolonizuar Evropën me aziatikë dhe i kish dhënë ujë kalit në Bruksel.

Leave a Reply

Your email address will not be published.