Rama: Dashurinë për kryeqytetin ta shprehim duke e mbajtur të pastër

Komuna e Prishtinës bashkë me KFOR-in dhe organizata tjera, kanë mbajtën aktivitetin për pastrimin e kryeqytetit, në të cilin u bë thirrje për kujdes të shtuar ndaj mjedisit. Ndërsa, u potencua se ka nisur iniciativa për blerjën e kamionëve dhe kontejnerëve të rinj.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama e konsideroi si sfidë të madhe pastrimin e kryeqytetit, derisa shtoi se po punojnë që ta luftojnë këtë dukuri negative.

Ai shtoi se janë në proces të blerjes se kontejnerëve dhe kamionëve të ri, derisa potencoi se po planifikohet edhe krijimi i Policisë së Kryeqytetit, specifikisht i asaj të gjelbër, për të përmirësuar gjendjen e ambientit.

“Pastrimi është më se i nevojshëm, ta kemi një ambient më të shëndetshëm për të gjithë…Ne si kryeqytet e dimë që e kemi një sfidë të madhe me pastrimin e kryeqytetit. Kemi një sfidë e cila është me vite të rëra. Jemi duke luftuar këtë dukuri negative, e cila ka një impakt negativ në gjithë qytetarët këtu të Prishtinës. Pra, e kemi edhe fokusin aty. Pra, e kemi edhe një iniciativë të re për blerjen e kamionëve të ri, kontejnerëve të ri. Po ashtu, edhe involvimin e organizatave të tjera që të jenë pjesë e kësaj madhështie. Kryeqytetin e kemi në zemër e duam të gjithë, dashurinë për kryeqytet duhet ta tregojmë, duke e mbajtur pastërtinë, duke u bërë bashkë të gjithë”, tha Rama.

Ndërkaq, përfaqësuesi i KFOR-it, Luca Bisetto tha se qëllimi i këtij aktiviteti është që të shpërndahet mesazhi ‘që të bëhemi bashkë dhe të pastrojmë, për një mjedis sa më të pastër’.

Dhjetëra qytetarë të moshave të ndryshme iu bashkuan aktivitetit, të cilët filluan të pastronin kryeqytetin bashkë me kryetarin Rama dhe figura të tjera publike.

Leave a Reply

Your email address will not be published.