Policia deklarohet për stacionin e ri në Zubin-Potok

Policia e Kosovës ka kundërshtuar çdo pretendim të Listës Serbe se stacioni i ri policor në Zubin-Potok ka për qëllim vënien në presion të qytetarëve serbë në veri të Kosovës.

Në një komunikatë për media, Policia ka thënë se ndër objektivat strategjike të saj janë qëllimi dhe krijimi i kushteve e ofrimi i shërbimeve më të mira e të lehta ndaj qytetarëve. Policia ka thënë se objekti aktual i stacionit policor në Zubin-Potok është privat dhe nuk i plotëson kushtet për ofrim të shërbimeve.

Në komunikatë Policia ka publikuar të gjitha hapat proceduralë e ligjorë që ka marrë deri në pajisjen me leje ndërtimore javën e shkuar.

“Stacioni Policor dhe zyrtarët policorë që do të punojnë aty (Zubin Potok), do t’i shërbejnë tërë komunitetit që jeton në atë zonë dhe nuk ka të bëjë me qëllime tjera siç spekulohet nga individ apo subjekte politike serbe”, thuhet në deklaratën e Policisë.

Njoftimi vjen pak orë pasi Lista Serbe u shpreh në Facebook se njoftimi për ndërtimin e stacionit policor afër shkollës dhe çerdhes në këtë komunë ka shkaktuar “pakënaqësi te qytetarët në veri” dhe se “është shembull i presionit institucional të Prishtinës ndaj serbëve”.

Kjo parti po ashtu ka pretenduar se vendimi për ndërtimin e stacionit nxit tensione të reja në veri.

Lista Serbe ka kërkuar nga përfaqësuesit ndërkombëtarë “të ndalin (kryeministrin Albin) Kurti dhe të parandalojnë eskalimin e situatës në terren dhe vazhdimin e militarizimit të komunave”.

“Veriu i Kosovës me ndërtimin e bazave parapolicore nga Prishtina ngjan më shumë dhe duket si burg i hapur në Korenë e Veriut sesa fshatrave a qyteteve evropiane. Presioni institucional i Kurtit mbi qytetarët tanë, madje edhe në fëmijë, është përtej çdo mase dhe duhet të reagojnë urgjentisht”, thuhet në reagimin e Listës Serbe, që ka kërkuar reagim të EULEX-it dhe KFOR-it.

Leave a Reply

Your email address will not be published.