Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka reaguar pas vendimit për shkarkimin e përkohshëm të pesë të punësuarve në Trepçë, të cilët po grevojnë qe tetë ditë.
KMDLNj e dënon fuqishëm vendimin e menaxhmentit të ndërmarrjes Trepça si përpjekje për të ngulfatur dhe pamundësuar një veprim sindikalist përmes frikësimit të atyre që po bëjnë grevë
KMDLNj i ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të reagojnë më zëshëm dhe më fuqishëm për këtë grevë.
LARGIMI I MINATORËVE GREVISTË NGA PUNA, SHKELJE E TË DREJTAVE TË NJERIUT!
Sot është dita e tetë e grevës së minatorëve të Trepçës shkaku se menaxhmenti i ndërmarrjes Trepça nuk ua ka plotësuar kërkesat. Gjatë tërë kësaj kohe kur dhjetëra minatorë kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, qeveria e Kosovës nuk ka shfaqur asnjë interesim për të tejkaluar këtë gjendje sikur që as opozita nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim parlamentar për ta ngritur këtë çështje si prioritet aq më parë që minatorët punojnë në kushte jashtëzakonisht të vështira, pa sigurime shëndetësore dhe jetësore. Deputetë të papërgjegjshëm, në vend se të kërkojnë llogaridhënie nga qeveria e Kosovës që është edhe mandati i tyre e bëjnë të kundërtën; dezinformojnë opinionin se kinse minatorët kanë të ardhura shumë të larta andaj nuk kanë arsye për grevë. Në ndërkohë menaxhmenti (politik) i Trepçës shkonë përtej kërcënimeve verbale duke larguar (përkohësisht) pesë të punësuar në mesin e të cilëve është kryetari dhe nënkryetari i sindikatës duke i fajësuar për organizim të grevës. Po ky menaxhment në përpjekje të kriminalizimit të një aktiviteti sindikal dhe realizimn e një të drejte të njeriut siç është greva, të përjashtuarit nga puna dhe grevistët i akuzon se po bëjnë grevë të jashtëligjshme duke mos e lajmëruar grevën, po e dëmtojnë ndërmarrjen Trepça materialisht dhe po e rrezikojnë rendin kushtetues. Po ky menaxhment harron apo nuk dëshiron ta kujtojë se pikërisht pozita e sotme që i ka vendosur në ato poste, protestat dhe grevat nuk i lajmëronte në Polici por përmes mediave. Menaxhmenti i Trepçës në vend se të merret me problemet reale që kanë detyruar minatorët të përdorin një masë të skajshme për realizimin e të drejtave të tyre siçështë greva e urisë, sajojnë akuza politike dhe cilësime më të rënda kundër grevistëve, të huaja dhe të papranuara edhe nga regjimet diktatoriale. Në të njejtën kohë KMDLNj-ë shfaq indinjatë të thellë për përpjekjet e menaxhemnentit që të diskreditojë grevistët përmes fotove kinse ata nuk janë duke bërë grevë urie. Nuk është hera e parë që minatorët e Trepçës bëjnë grevë por sikur më parë kanë hasur në shpërfillje nga punëdhënësi i tyre. Çuditërisht edhe reagimi i opinionit nuk është në përputhje me seriozitetin e situatës për faktin se kësaj greve po i atribuohet një cilësim tjetër nga institucionet kosovare në përpjekje për t’i ikur përgjegjësisë.
KMDLNj –ë e dënon fuqishëm vendimin e menaxhmentit të ndërmarrjes Trepça si përpjekje për të ngulfatur dhe pamundësuar një veprim sindikalist përmes frikësimit të atyre që po bëjnë grevë. Për fillim kanë përzgjedhur një grup prej pesë të punësuarve dhe nëse greva nuk përfundon atëherë do të merren masa edhe ndaj të tjerëve deri në thyerje të grevës. KMDLNj –ë përkrahë të drejtën e veprimit sindikalist, si e drejtë e njeriut dhe e drejtë ligjore dhe në këtë kontekst e kundërshton fuqishëm largimin nga puna të pesë grevistëve duke kërkuar përgjegjësi konkrete për menaxhmentin që e ka marrë këtë vendim në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut. KMDLNj–ë tërheq vërejtjen se për çdo pasojë që eventaulisht mund ta kenë grevistët, në aspektin shëndetësor dhe material, adresa e përgjegjësisë do të jetë menaxhmenti I ndërmarrjes Trepça dhe ata që e kanë emëruar këtë menaxhment.
KMDLNj –ë thërret deputetët e Kuvendit të Kosovës të reagojnë më zëshëm dhe më fuqishëm për këtë grevë të shpërfillur nga institucionet duke mos e përjashtuar as Kuvendin, në mënyrë që të tejkalohet kjo situatë. Në të kundërton përgjegjësia do të bjerë edhe mbi ta.
DTV