Ish-këshilltari i presidentit Thaçi, Artan Behrami, pas përfundimit të bastisjes së banesës së tij nga zyrtarët e EULEX-it, para mediave ka thënë se bastisje të tilla kanë qëllim frikësimin e qytetarëve.
“Ata nuk vijnë për të marrë diçka por për të tërhequr vëmendje mediale dhe për të ndjellë frikë. Por ne nuk jemi frikësuar as në luftë e as nga regjimi i Millosheviqit e as nuk i frikësohemi as kësaj Prokurorie”, ka thënë Behrami, duke shtuar se janë krenar me punën që kanë bërë me ish-presidentin Hashim Thaçi.
Ai ka thënë se Dhomat e Specializuara në Hagë nuk mund t’i bastisin 1.8 milionë banorë që kundërshtojnë këtë Gjykatë dhe se veprimet e fundit kanë për synim tërheqjen e vëmendjes mediale.
Ish-këshilltari i Thaçit ka shtuar se Dhomat e Specializuara në Hagë më shumë “po investon në propagandë se sa në vënie të drejtësisë”.
“Dhomat e Specializuara në Hagë më shumë po investon në propagandë se sa në vënie të drejtësisë. Nuk dua të hy në detaje se çfarë janë konfiskuar por të gjithë qytetarët e Kosovës janë cak i bastisjeve por dua ta theksoj se nuk ka Polici që mund t’i bastis 1.8 milion banorë në Kosovë e as nuk ka prokurorë për të shkruar shkresa për këta banorë”, ka shtuar ai.