Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se kryeministri Albin Kurti po manipulon me shifra lidhur me projektbuxhetin për vitin 2024.
Sipas Bajramit, krahasuar me buxhetin e këtij viti, buxheti për vitin 2024 është më i madh për vetëm 91 milionë euro dhe se me këto para s’mund të ketë rritje të buxhetit nëpër sektorë aq sa ka deklaruar Kurti.
“Kah Kryeministër? Qysh po të del llogria me vetëm 91 milionë Euro më shumë? Këto janë manipulime me shifra, që të gjitha janë të pavërteta, sepse nuk ke mundësi me i pasë rritjet në sektorët e lartëpërmendur me vetëm 91 milionë Euro më shumë, andaj stop manipulimit se tashmë askush nuk i beson dhe sapo ta marrin dokumentin e projektbuxhetit do t’i demantojmë të gjitha”, ka shkruar Bajrami.
Vlerën e koeficientit të pagave prej 110 euro, Bajrami e ka konsideruar si tallje me qytetarët.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka miratuar dje projektbuxhetin për vitin 2024. Vlera e buxhetit do të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro, derisa kryeministri Albin Kurti ka treguar për mjetet e ndara në secilin sektor.
Buxheti për sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë do te jetë rreth 370 milionë euro.
“Me këtë buxhet, kujdes e rëndësi të veçantë po i japim mbrojtjes e sigurisë, prandaj për vitin 2024 kemi shtuar numrin e policëve për edhe 500 të tjerë, dhe numrin e ushtarëve edhe për 600 të tjerë. Buxheti për Ministrinë e Punëve të Brendshme për herë të parë do të tejkalojë 216 milionë euro, dhe për Ministrinë e Mbrojtjes do të jetë mbi 153 milionë euro, apo rreth 370 milionë euro për sektorin, e që i bie rreth 22% më shumë sesa viti 2023 në të cilin ndodhemi aktualisht”, ka deklaruar Kurti.
Po kaq para do të ndahen edhe për sektorin e arsimit. Këto para do të shkojnë për ndërtimin e çerdheve, zbatimin e reformave dhe mbështetjen e të rejave e të rinjve me bursa.
“Edhe arsimi do të ketë mbështetjen e nevojshme, për ndërtimin e çerdheve, zbatimin e reformave, dhe mbështetjen e të rejave e të rinjve me bursa. Bashkë me grantin që u ndahet komunave, mbështetja buxhetore për arsimin do të arrijë në 370 milionë euro apo rreth 20% më shumë sesa viti 2023”, ka shtuar Kurti.
Për sektorin e shëndetësisë, qeveria ka ndarë 340 milionë euro, përfshirë edhe grantin për komuna. Këto para, Kurti ka thënë se do të investohen në renovim të spitaleve dhe blerje të pajisjeve të teknologjisë së fundit.
“Shëndetësia vazhdon të jetë prioritet i yni, dhe do të vazhdojë të investohet në renovim të spitaleve e blerje të pajisjeve të teknologjisë së fundit, ashtu që më të dashurit tanë të mos kenë nevojë të udhëtojnë jashtë vendit për të kërkuar shërim. Prandaj për vitin 2024 ShSKUK-së i është shtuar buxheti për 25%, kurse për shëndetësinë si sektor në tërësi kemi ndarë mbi 340 milionë euro përfshirë edhe grantin për komunat”, ka deklaruar Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
Për investime kapitale, janë ndarë 860 milionë euro, që do të shkojnë për infrasrukturë rrugore e hekurudhore, zona të reja ekonomike, disa e rrjete të ujësjellësit dhe në kapacitetet të reja energjetike.
“Do të vazhdojmë mbështetjen për investime të reja kapitale në infrastrukturë rrugore e hekurudhore, në zona të reja ekonomike, në diga e rrjete të ujësjellësit, dhe në kapacitete të reja energjetike. Për këtë kemi paraparë një buxhet prej 860 milionë euro për investime kapitale”.
Për sektorin e drejtësisë, Kurti ka thënë se është ndarë 31 përqind më shumë buxhet se këtë vit.
“Punë dhe drejtësi ka qenë sllogani ynë, andaj edhe buxhetin e kemi rritur për këtë dikaster. Krahasuar me vitin 2023, Ministrisë së Drejtësisë i kemi ndarë 31% më shumë buxhet ashtu që të zbatohen deri në fund reformat e nisura në drejtësi”, ka deklaruar kryeministri.
Për kulturën dhe sportin, janë ndarë 58 milionë për investime kapitale.
“Sivjet morëm lajmin më të mirë në dekada për sportistët tanë, se do të jemi shtet mikpritës për Lojërat Mesdhetare 2030, dhe kjo duhet të përcillet edhe me investimet përkatëse në sport e infrastrukturë për të cilat jemi zotuar. Andaj kemi rritur buxhetin si asnjëherë më parë për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke i ndarë mbi 58 milionë euro për investime kapitale vetëm për vitin 2024, e trendi njëjtë do të vazhdojë edhe për vitet pasuese, sepse duam t’i tregojmë botës se Kosova po bëhet konkurrent serioz në sport”, ka deklaruar Kurti.
Ndërkohë, vlera e parave që u është ndarë komunave është 742 milionë euro.
“Duhet të mos harrojmë që ky buxhet nuk është vetëm për Qeverinë e i Qeverisë, por edhe i komunave. Për vitin 2024 kemi ndarë 742 milionë euro për komunat e Kosovës, ku nga kjo shumë 635 milionë euro janë grant që u ipet komunave nga Qeveria, kurse 107 milionë euro të tjera janë të hyra vetanake të cilat komunat i mbledhin”, ka thënë Kurti.