Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit R.Xh., i cili gjendet në paraburgim, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Vrasja”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri R.Xh, më datë 07.09.2023 rreth orës 01:15min në rrugën “Ismet Jashari” në Prizren, me dashje fillon kryerjen e veprës penale të vrasjes ndaj të dëmtuarit M.B., të cilën nuk e përfundon, në atë mënyrë që derisa i dëmtuari ishte duke lëvizur me veturën e tij, i shoqëruar me shokët e tij – dëshmitarët R.K., E.Xh., A.F., dhe V.S., për një moment i pandehuri R.Xh., i del në rrugë dhe i afrohet veturës nga ana e djathtë nga pasagjeri.
“…pasi ndërron disa fjalë me dëshmitarin V.S., me të cilin kishte një huadhënie, më pas kalon në pjesën e majtë dhe afrohet tek i dëmtuari i cili ishte drejtues i veturës dhe derisa ky i fundit ndodhej brenda veturës dhe në pozicion të pa mbrojtur, i pandehuri R.Xh., e nxjerr thikën dhe me të njëjtën e godet dy herë në pjesën e gjoksit dhe kraharorit…
Në ato momente del nga vetura i dëmtuari të cilin i pandehuri vazhdon ta godet me thikë në pjesë të ndryshme vitale të trupit derisa ndërhyjnë dëshmitarët duke u munduar që ta ndalojnë sulmin e të njëjtit dhe më pas i pandehuri largohet, përderisa i dëmtuari përfundon në repartin kirurgjik në Spitalin Rajonal të Prizrenit, për të vazhduar më pas trajtimin mjekësor në QKUK – Prishtinë, si pasojë e lëndimeve të rënda trupore dhe të rrezikshme për jetën”, thuhet në njoftim.
Me këto veprime, i pandehuri R.Xh., ka kryer veprën penale “Vrasja” e ngelur në tentativë sipas KPRK-së.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.
DTV