Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se në rastin më të mirë, Kurti mund të jetë ministri i tij i Brendshëm. Nënkryetarja e LVV-së, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku thotë se Abdixhikut i ka ikur treni për koalicion me LVV-në, kur hezitoi t’i bashkohet iniciativës së Vjosa Osmanit.
“Kur një qeveri s’bën punë as në politikë, as në arsim, as në shëndetësi, as në politikë të jashtme, as në infrastrukturë, as në politikë të brendshme dhe kur i gjithë roli i saj reduktohet në le të themi, në një shkop polici dhe kështu duket që janë, si një ministri e punëve të brendshme, me kaq përfundon puna e qeverisë. Një MPB. Pra, në rastin më të mirë, Albin Kurti do të ishte ministri im i brendshëm”, deklaroi të martën Abdixhiku në RTV Dukagjini.
Ndaj kësaj deklarate të liderit të LDK-së ka reaguar nënkryetarja e LVV-së, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.
Deputetja e LVV-së ka thënë se me këto deklarata Abdixhiku në mënyrë të tërthortë po kërkon koalicion me ta.
“Kjo është mënyrë e tërthortë e Lumirit që të thotë se dëshiron të hyjë në koalicion me LVV. Mirëpo, ka ikur ky tren. Lumiri është dashur t’i bashkohet Vjosës, por, për atë hap nuk guxoi”, ka shkruar Kollçaku.