Ngritet aktakuzë ndaj ministres Gërvalla për mosdeklarim të saktë të pasurisë

Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ngritur aktakuzë ndaj ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, lidhur me akuzën për mosraportim të saktë të pasurisë.

“Betimi për Drejtësi”, ka siguruar aktakuzën e plotë e cila rezulton se është përpiluar më 31 janar 2023, nga prokurori Astrit Gashi.

Sipas aktakuzës, Gërvalla ngarkohet se në cilësinë e zyrtares së lartë publike me obligim ligjor të deklarimit të pasurisë, në formularin për deklarim të pasurisë më 22 mars 2021, nuk ka paraqitur saktë të dhënat e kërkuara me ligj.

Aktakuza thotë se, e njëjta në këtë formular nuk ka deklaruar asnjë të hyrë-të ardhur të bashkëshortit të saj Stefan Schwarz edhe përkundër se të njëjtin e ka deklaruar si bashkëshort.

Tutje, në akuzë thuhet se Gërvalla nuk ka deklaruar në tërësi parcelën kadastrale-toka bujqësore në pronësi të saj në sipërfaqe prej 3964 m2 në ZK Dubovik-Komuna e Deçanit duke e deklaruar vetëm sipërfaqe prej 2000 m2.

Po ashtu, Gërvalla sipas akuzës thuhet se nuk ka deklaruar as biznesin “Alb Lingua UG” e regjistruar në Bon të Gjermanisë në emër të saj.

Me këto veprime, Gërvalla akuzohet se ka kryer veprën penale “mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430 paragrafi 1 të Kodit Penale të Republikës së Kosovës.

Prokuroria përmes aktakuzës, ka kërkuar që të e njëjta të shpallet fajtore për veprën penale që i vihet në barrë si dhe i ka propozuar gjykatës që të bëjë konfiskimin e vlerës së padeklaruar.

Çfarë deklaroi ministria Gërvalla në prokurori?

Lidhur me këtë çështje penale e akuzuara Gërvalla-Schwarz në nëntor 2022 ka dhënë deklaratë në Prokurori ku e njëjta kishte deklaruar se nuk ka qenë në dijeni se në formularin e deklarimit të pasurisë duhej të deklaronte edhe të ardhurat e bashkëshortit të saj.

“Sepse kam menduar që të dhënat personale të bashkëshortit tim, si nënshtetas gjerman, pa asnjë lidhje fizike apo ligjore me Kosovën mbrohen edhe në Kosovë nga ligji gjerman, aq më tepër se im shoq përveç pagës mujore nuk ka pasuri të luajtshme apo të paluajtshme të cilat do të vinin në konsideratë për t’u deklaruar në atë formular”, kishte deklaruar Gërvalla.

Gërvalla kishte pohuar se deklarimin e parë me rastin e marrjes së detyrës më 22 mars 2021 e kishte bërë.

“Në deklarimin retrospektiv të vitit 2021 i kam përfshirën edhe të ardhurat e bashkëshortit tim rreth 54 mijë euro vjetore. Kjo ka ndodhur pasi jam njoftuar nga AKK se sipas tyre duhet deklaruar edhe të ardhurat e pasura e shtetasit të huaj. Nuk jam shumë e bindur se një gjë e tillë është e vërtetë, por më gjithë atë, për të evituar keqkuptimet e kam përshirë edhe bashkëshortin tim në këtë deklarim.”, kishte thënë ajo.

Mirëpo, më rastin e deklarimit të marrjes së detyrës e njëjta kishte deklaruar se nuk ishte interesuar se a duhet të deklarohen edhe të ardhurat e bashkëshortit të saj.

Ndërsa, lidhur me sipërfaqet tokësore Gërvalla kishte deklaruar se në fshatin Dubovik në pronësinë e saj ka tre parcela të cilat janë trashëgimi familjare.

Sipas saj, parcela e parë është trualli ku ndodhet shtëpia, e dyta është e shënuar si tokë bujqësore e pashfrytëzuar dhe e treta është tokë malore e pa shfrytëzuar.

Në shtëpinë e familjes së saj në Dubovik, ajo kishte thënë se jeton një familje prej 4 anëtarësh të cilët janë kushërinjtë e babait tim.

“Në konstatimin tim rreth sipërfaqeve të parcelave unë jam bazuar në konsultim pikërisht me banorin e shtëpisë, duke llogaritur që askush më mirë se ai nuk mund të bëjë vlerësimin. Certifikatë të pronësisë unë personalisht asnjëherë nuk kam pas në dorë, por uni e di se jam lajmëruar vite më parë në telefon se një certifikatë e tillë ekziston dhe është dorëzuar vite më parë tek banorët e shtëpisë tonë në Dubovik”, kishte thënë Gërvalla.

Kurse lidhur me Fondacionin “Gërvalla”, ajo kishte deklaruar se fondacioni në fjalë asnjëherë që nga themelimi i tij në 2006 nuk ka qarkulluar asnjë cent as brenda Kosovës e as jashtë.

“Kallëzimin penal të këtij viti, me gjendje faktike të sqaruar tërësisht dhe me qartësi të plotë rreth mungesës së motivit tim për të fshehur pasurinë time, të ardhurat e mia apo çfarëdo lloj aktiviteti financiar timin e konsideroj të motivuar nga hakmarrja politike dhe një tentim për të denigruar personalitetin”, kishte deklaruar Gërvalla në prokurori.

Ndryshe, më 20 qershor 2023, kishte dështuar të mbahej shqyrtimi fillestar ndaj Donika Gërvalla, për shkak se e njëjta nuk kishte të angazhuar avokat.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 29 maj të këtij viti ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se ka ngritur aktakuzë ndaj Gërvallës.

Pasi u bë i ditur lajmi për ngritjen e aktakuzës, ministrja Gërvalla përmes një postimi në Facebook, kishte thënë se është përpjekje për të hedhur baltë mbi përfaqësuesit e institucioneve.

Më 2 tetor 2021, “Betimi për Drejtësi” kishte raportuar se Donika Gërvalla, zëvendëskryeministre dhe ministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD), nuk ka deklaruar të gjitha funksionet në institucione vendore e ndërkombëtare.

Katër muaj pas këtij hulumtimi, Agjencia Kundër Korrupsion (AKK), tani Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK), kishte njoftuar se është ende duke trajtuar rastin e ministres Gërvalla.

Sipas këtij hulumtimi, rezultoi se Gërvalla nuk ka deklaruar se posedon biznes në Gjermani, nuk ka treguar se është drejtoreshë e një fondacioni në Kosovë dhe as nuk ka deklaruar pasurinë e burrit dhe fëmijëve të saj.

DTV

Leave a Reply

Your email address will not be published.