Lista Serbe: Në vend të dialogut, Kurti kërkon ta zgjidhë problemin me militarizimin

Lista Serbe pretendon se deklarata e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti se askush nuk do ta ndalojë as në veri e as në jug, dhe se vitin e ardhshëm do të angazhojë edhe 500 policë dhe 600 pjesëtarë të FSK-së, “është kërcënim i dukshëm ndaj serbëve në veri dhe në jug të Kosovës”.

“Përkundër thirrjeve të qarta të bashkësisë ndërkombëtare që të ndalojë përshkallëzimin e mëtutjeshëm dhe që Prishtina të fillojë de-përshkallëzimin dhe formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Albin Kurti bën deklaratë se askush nuk do ta ndalojë, as në veri e as në jug, dhe se për këtë qëllim vitin e ardhshëm do të angazhojë edhe 500 policë të tjerë dhe 600 pjesëtarë të FSK-së, që është një “kërcënim evident” për serbët si në veri ashtu edhe në jug të Kosovës”, pretendohet në kumtesën e kësaj partie të cilën e ka instaluar Vuçiqi në Kosovë.

Sipas kumtesë së Listës Serbe, formimi i formacioneve shtesë të armatosura “njëkombëshe” në këtë moment është reflektim i dëshirës së dukshme për zgjidhjen e problemeve “me militarizimin e kësaj zone me formacione të armatosura në vend të dialogut”.

“Pesha e këtij kërcënimi është edhe më e madhe sepse Albin Kurti në periudhën paraprake ka deklaruar se “gjysma e serbëve duhet të dëbohen dhe gjysma të arrestohen”, si dhe se “serbët do të paguajnë dhe do të vuajnë”, dhe pastaj serbët janë rrahur, arrestuar, shtypur ndërsa bota këtë po e shikon në heshtje”.

Ata u bëjnë thirrje aktorëve ndërkombëtarë që “të ngrenë zërin” dhe, siç thonë ata, “të parandalojnë planet e Kurtit, të cilat nëse realizohen do të nënkuptojnë “dëbimin e komunitetit serb” nga vatrat e tyre shekullore dhe krijimin në tentativë të një shteti policor”, përfundon kumtesa e garniture të re të kësaj partie me fjalor dhe propagandë të njëjtë siç jemi mësuar të dëgjojmë më parë prej Radoiçiqit, Rakiqit, Simiqit dhe të tjerëve.

DTV

Leave a Reply

Your email address will not be published.