Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në dy ditët e fundit priti në takim gjashtë nga shtatë kandidatët shqiptarë për deputetë në zgjedhjet e 17 dhjetorit në Serbi, të cilët tashmë kanë publikuar kandidaturat e tyre.
Sipas njoftimit për media thuhet se Kurti i falënderoi pjesëmarrësit Shaip Kamberi, Nagip Arifi, Ragmi Mustafa, Shqiprim Jonuzi, Naser Aziri e Armend Aliu për kontributin e tyre të deritanishëm dhe u dëshiroi sukses në zgjedhjet e radhës.
“U diskutua gjendja e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, diskriminimi që u bëhet atyre dhe asimetria me Kosovën, ku siç dihet, në Kosovë deputetët e Listës Serbe i bojkotojnë dhjetë ulëset e rezervuara, ndërkaq në Luginë, shqiptarëve iu pasivizohen adresat dhe diskutohet nëse do të mund t’i arrijnë tre deputetë”, thuhet në njoftim.
Tutje në njfotim theksohet se ishte konstatim i përbashkët, që një listë e përbashkët ndihmon shumë drejt përfaqësimit sa më të mirë të shqiptarëve.
DTV