Komisioni Evropian ka miratuar raportin vjetor për Kosovën, për vitin 2023. Në qendër të këtij raporti janë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe thirrjet për zbatimin e marrëveshjeve mes dy vendeve.
Në raportin e progresit, thuhet se masat ndëshkuese që u vendosën ndaj Kosovës për shkak të tensioneve në veri, “janë të përkohshme dhe plotësisht të kthyeshme, në varësi të hapave të ndërmarra për uljen e tensioneve në veri të Kosovës. Kosova ka ndërmarrë hapa në drejtimin e duhur, por mbetet ende për të bërë”.
Sipas raportit, drafti i muajit maj të këtij viti, i paraqitur në takimin e nivelit të lartë të dialogut, që ishte propozuar nga Serbia është hedhur poshtë, pasi theksohet se nuk ka qenë në përputhje me marrëveshjet e dialogut.