“Nuk është përdorur armë. Detaje mund t’ju japim nesër, meqë ende s’ua kam dorëzuar shkresat avokatëve. Dy të dyshuarit për vrasje janë vëllezër. Mbetjet mortore janë gjetur në dhe, të varrosta. Nuk ka qenë shumë thellë, por e varrosun, ndër dhe”, ka thënë Hamiti.
Detaje të reja kanë dalë në dritë për vrasjen e biznesmenit nga Lipjani, Bedri Rexhepit. Prokurori Armend Hamiti ka thënë se në këtë rast s’është përdorur armë, e sipas aktakuzës së publikuar në media, Rexhepi ishte ngulfatur. Krimi dyshohet të jetë kryer në shtëpinë e një prej vëllezërve Vllasaliu, të cilët duket se kishin planifikuar gjithçka në detaje. Plani për vrasjen e 38-vjeçarit thuhet të ketë filluar që nga 9 janari i vitit 2021, që i bie 3 muaj para ditës së vrasjes. Motivi ishin 30 mijë euro.
Një ditë pasi u konfirmua se mbetjet mortore që u gjetën para tri javësh në Novobërdë janë të biznesmenit Bedri Rexhepi, janë zbardhur detaje për mënyrën se si e kryen vrasjen dy vëllezërit e akuzuar për këtë rast, Jeton e Nexhat Vllasaliu.
Prokurori i rastit, Armend Hamiti, ka thënë për Gazetën Express se vetëm mund ta konfirmojë se në këtë rast s’është përdorur armë, por se detaje të tjera s’mund të jap meqë ende s’u janë dorëzuar shkresat avokatëve.
Për mbetjet mortore që u gjetën para gati tri jave, Hamiti tha se janë gjetur të varrosura, jo shumë thellë.
Aktakuza për këtë rast është publikuar në disa media. Sipas dokumenteve të publikuara, Jeton e Nexhat Vllasaliu kishin planifikuar vrasjen e 38-vjeçarit që nga 9 janari i vitit 2021.
Ata kishin planifikuar vrasjen për t’ia marrë 30 mijë euro që besonin se Bedri Rexhepi i kishte me vete, por që, sipas prokurorisë, ai kishte pasur vetëm 8 mijë euro.
“Prej periudhës 9 janar 2021 deri më 8 prill 2021, të pandehurit Jeton Vllasaliu dhe Nexhat Vllasaliu, në bashkëkryerje, pas marrëveshjes paraprake, kishin filluar planifikimin për të privuar nga jeta me qëllim të fitimit të dobisë pasurore të dëmtuarin Bedri Rexhepi. Ata fillimisht i kishin ndarë rolet dhe planifikuar veprimet, dhe Jeton Vllasaliu, duke e shfrytëzuar besimin që i dëmtuari/ndjeri Bedri Rexhepi e kishte ndaj tij, e vë në lajthitje të dëmtuarin Bedri Rexhepi. Duke filluar nga data 9 janar 2021, ku i kishte ofruar për shitje dy vetura: një Range Rover dhe një BMË X3, për vlerën prej 30 mijë eurosh”.
Në aktakuzë thuhet se Jeton Vllasaliu e ka privuar nga jeta Bedri Rexhepin, duke e ngulfatur.
“I pandehuri Jeton pastaj në mënyre tinzare duke e ngulfatur e privon nga jeta Bedri Rexhepi, duke menduar se ka me vete shumën e të hollave dhe atë në vlerë prej 30.000 € (tridhjetë mijë euro), siç edhe ishin marrë vesh për shitjen e veturave. Mirëpo, pas vrasjes tek viktima kishte gjetur vetëm shumën prej 8000 € (tetë mijë euro) që i ka ndarë me të pandehurin Nexhat Vllasaliu”, thuhet në aktakuzën e publikuar në media.
Sipas ekspertizës së mjekësisë ligjore, Bedri Rexhepi ka vdekur si pasojë e shtypjes mekanike të organeve të frymarrjes dhe enëve të gjakut (asfiksi mekanike).
Aty thuhet se Rexhepit i ishin thyer brinjët e krahërorit, nga veprimi mekanik “i mjetit të fortë mbretës”.
“Thyerja e kocës hioide e përshkruar në pikën 1 të përshkrimit të dëmtimeve e cila gjendet në regjionin e majtë të përparmë të qafës, me besueshmëri është shkaktuar gjatë strangulimit të regjionit të qafës. Thyerja e brinjve të kafazit të kraharorit të përshkruar në pikën 2 të përshkrimit të dëmtimit janë shkaktar nga veprimi mekanik i mjetit të fortë mbretës (jo I mprehtë, I topitur) rreth kohës së vdekjes”, thuhet në raportin e IML’së, që është përfshirë në aktakuzë.
Sipas Prokurorisë, pas vrasjes, dy vëllezërit Vllasaliu kishin vazhduar planin për fshehjen e trupit.
Në aktakuzë thuhet se kokën ia kishin mbështjellë me qese të zezë të najlonit, e trupin me perden e shtëpisë së Nexhat Vllasaliut dhe se pastaj e kishin lidhur me litar.
“Pastaj, kufomën e të ndjerit e dërgon në katin e tretë të shtëpisë dhe, në pamundësi për ta varrosur, e kishte mbështjellë kokën e tij me qese të zezë të najlonit, kurse tërë trupin me perden e shtëpisë së të pandehuir Nexhat, dhe e kishte lidhur me një litar. Pastaj, veturën e të ndjerit Bedri Rexhepi e kishte dërguar në arat e fshatit Sushisë-Janjevë. Nga aty, i pandehuri Jeton i kishte telefonuar të pandehurit Nexhat, i cili pastaj e kishte marrë veturën e tipit, mu në rrugën që dërgon te vendi ku e kishte lënë automjetin”, thuhet në aktakuzë.
Sipas Prokurorisë, dy të akuzuarit kishin diskutuar edhe se si do të përgjigjeshin para hetuesve që ta kenë një versionin e njejtë për t’i krijuar alibi njëri-tjetrit, pasi e dinin se do të kontaktoheshin. “Ku edhe me datë 8 prill paradite, takohen në shtëpinë e tyre në Vllasali dhe sigurohen se nuk ka shumë njerëz dhe frekuentimin e tyre në ditë pune – ditë e enjte, dhe një vend ku më pas mund të zhdukin provat inkriminuese dhe trupin e të dëmtuarit Bedri Rexhepi, veprimi i dërgimit të automjetit në fshatin Sushicë, pra me kilometra larg vendit ku kryhet vrasja e rëndë. Koordinimi që Nexhati të dalë e ta marrë Jetonin për ta kthyer në shtëpi si dhe shkuarja e nesërme herët në mëngjes, pa u zbardhur dita, që ta varrosin kufomën e të ndjerit në një vend ku nuk është i paraparë për varreza dhe rrallë i frekuentueshëm edhe nga vetë banorët e fshatit Vllasali. Krijimi i një tregimi të përbashkët që në rast të marrjes në pyetje nga organet e drejtësisë, ta kenë versionin e njëjtë për t’i krijuar alibi njëri-tjetrit”, thuhet në aktakuzë.