Interesim i madh është vërejtur gjatë këtyre ditëve nga qytetarët në veri të Mitrovicës, për riregjistrimin e automjeteve me targa ilegale serbe në ato RKS-Republika e Kosovës.
Që nga 1 nëntori e deri më sot, mbi 1, 350 qytetarë kanë aplikuar për riregjistrim të veturave në veri.
Kështu ka bërë të ditur, ushtruesi i detyrës së drejtorit të policisë për veri, Veton Elshani.
Qeveria e Kosovës më 30 tetor vendosi për shtyrjen e afatit për riregjistrimin e automjeteve me targa ilegale serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.
Shtyrjes së afatit i parapriu një kërkesë nga drejtoria e Policisë së Kosovës për rajonin e veriut drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.
Kjo kërkesë u bazua në kërkesat e qytetarëve që kërkuan që ky afat të vazhdohej.
Sipas vendimit të Qeverisë, afati për riregjistrimin e makinave me targa serbe sikurse “PR”, “KM”, “PZ” e të ngjashme do të jetë deri më 1 dhjetor.
Kujtojmë se çështja e targave në të kaluarën ka shkaktuar një sërë krizash në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Fillimisht, më 31 korrik të vitit 2022 u ngritën barrikada për shkak të çështjes së targave dhe në nëntor të po atij viti, serbët u larguan nga institucionet e Kosovës në veri, pasi u suspendua drejtori i policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq. Gjuriq kishte refuzuar të zbatonte vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në RKS.
Plani i Qeverisë së Kosovës i tetorit të vitit të kaluar parashihte që nga 21 prilli i vitit 2023 të lejohej vetëm qarkullimi i makinave me targa RKS.
Më 23 nëntor 2022, në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për targat që lëshohen nga autoritetet serbe për qytetet në Kosovë.
Sipas marrëveshjes, Serbia pranoi që të mos lëshonte më targa të reja dhe Kosova hoqi dorë nga ndëshkimet që parashihte plani për riregjistrimin e makinave.
DTV