Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj ka takuar komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutas, gjersa theksoi se mbështetja do të vazhdojë edhe në vitin 2024 dhe se Shqipëria do të rrisë prezencën e saj.
Malaj në një postim në Facebook thekson se rruga e vetme për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi është ajo e dialogut.
Lexoni të plotë postimin e Kurtit:
I shoqëruar nga Atasheu Ushtarak Kolonel Altin Kurti, zhvillova një takim miqësor me Komandantin e KFOR, Gjeneralmajor Ozkan Ulutas.
Gjatë këtij takimi biseduam për situatën e sigurisë në Kosovë. Gjeneralmajor Ulutas falënderoi Shqipërinë për mbështetjen që i jep KFOR-it. I konfirmova se Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë KFOR, pasi vendi ynë e ka Kosovën në prioritetin më të lartë.
Po kështu, kjo mbështetje do të vijojë pasi në vitin 2024, Shqipëria do të rrisë prezencën e saj.
Gjithashtu, i bëra të ditur se rruga e vetme për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi është ajo e dialogut.