Kurti lavdëron punën e Policisë: Janë shkatërruar mbi 100 grupe kriminale, u arrestuan mbi 3 mijë e 800 persona

Akademia e Kosovës për Siguri Publike (AKSP) ka shënuar të mërkurën “Ditën e informimit për komunitetet”. Në këtë ceremoni ka marrë pjesë, kryeministri Albin Kurti, i cili tha se Akademia e Sigurisë Publike sjellë dije në punën e secilit për sigurinë e qytetarëve.

Sipas tij, profesionalizimi i kësaj Akademie është i rëndësishëm për mbrojtjen e kufijve. Ai më pas ka numëruar punët e Policisë, duke thënë se janë organizuar mbi 1 000 operacionale policore, janë shkatërruar mbi 100 grupe kriminale  dhe janë arrestuar mbi  3 mijë e 800 persona.

“Bashkë po angazhohemi që të ndërtojmë një shoqëri e shtet të sigurt, të ngrisim e të forcojmë kapacitetet tona për ta mbrojtur vendin dhe popullin tonë. Nga fillimi i mandatit tonë qeverisës janë zhvilluar mbi 1 mijë operacione kundër krimit e kontrabandës, janë shkatërruar 100 grupe kriminale, 16 laboratorë të drogës dhe janë arrestuar mbi 3 mijë e 800 persona”.

“Duke qenë partnerë serioz e të besueshëm për aleatët tanë, po i kontribuojmë paqes së qëndrueshme dhe stabilitetit afatgjatë në rajonin tonë. Duke i vënë në funksion talentet, shkathtësitë dhe profesionalizimin, nga të gjithë qytetarët për dallim, për institucionet tona të sigurisë do të arrijmë më të mirën në shërbim të mbrojtjes së sigurisë dhe paqes. Për këtë arsye, jam i lumtur që jam me të rinjtë e komuniteteve të cilët kanë shprehur interesim për mundësitë që i ofron Akademia për Siguri Publike nga Ferizaj, Fushë Kosova, Graçanica, Lipjani, Gjakova, Mitrovica, Obiliqi, Shtimja e Prishtina”.

I pari i qeverisë, para të rinjve të komuniteteve tha se uron që ta shfrytëzojnë këtë rast për të mësuar rreth mundësive të ofruara për procesin e aplikimit që ta bëjnë Akademinë për Siguri Publike, pjesë të planeve dhe ëndrrave të tyre.

“Besoj që në këtë mënyrë, ju mund të përfitoni shumë, por e di që edhe Kosova do të përfitojë shumë nga shërbimi i juaj. Akademia e Sigurisë Publike sjell dije në punën e secilit për siguri të të gjithë qytetarëve”.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se dyert e institucioneve të sigurisë mbesin gjithmonë të hapura për të gjithë pjesëtarët e komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Kjo me qëllim, që siç tha ai për rrugëtimin e përbashkët për forcimin e shtetit.

“Institucionet tona të sigurisë kanë gjithmonë dyert e hapura për ata e ato që duan të jenë faktor në ofrimin e sigurisë. Në historinë e themelimit të institucioneve tona dhe në ngritjen e kapaciteteve tona  pjesë e pandashme është kontributi nga të gjitha komunitetet. Diversiteti është vlerë. Jam i lumtur që kemi pjesëtarë nga të gjitha komunitetet në të gjitha nivelet”.

“Akademia për Siguri Publike ka ngritur gjenerata të tëra që sot janë pjesë e institucioneve. Ky takim i përbashkët është një mundësi e mirë e njoftimit tuaj me punën e institucioneve të sigurisë dhe me mundësinë e bashkimit tuaj me ne në këtë rrugëtim të përbashkët në forcimin e shtetit tonë. Radhët tona mirëpresin secilin prej jush”.

Ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiqi, tha se të rinjtë e të gjitha komuniteteve e kanë vendin në institucionet e vendit, sidomos në ato të sigurisë.

“Kjo shkollë, kjo Akademi mua më simbolizon një fillim një bashkëpunim për të gjithë, për një përparim për një zhvillim dhe për të ardhmen”.

“Pasi jemi në këtë vend nuk e di se ku do te ishte vendi më i përshtatshëm për ju rini që të jeni këtu. Çka do të thotë për mua kjo Akademi është besueshmëri, zgjedhje ardhmëri”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.