Fillimisht Gjykata e Apelit kishte refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të pandehurve duke vërtetuar aktvendimin e gjykatës së shkallës së parë.
Gjykata Supreme ua ka ndërprerë masën e paraburgimit tre vëllezërve Murturi nga fshati Lupç i Poshtëm i Podujevës, të dyshuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “vrasje në tentativë”. Vëllezërit nga Lupçi qëndruan në paraburgim për rreth tre muaj si të dyshuar për rrahjen e Imamit të xhamisë së këtij fshati Zeqir Berisha, i cili qëndroi rreth tri javë në spital për shkak të plagëve të rënda trupore dhe akoma ndodhet në pushim mjekësor.
Gazeta Express posedon aktgjykimin e Gjykatës Supreme përmes së cilit është anuluar aktvendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës dhe aktvendimi i Gjykatës së Apelit. Gjykata Supreme e Kosovës ka vlerësuar se nga dy gjykatat nuk është dhënë “arsyetim për asnjë provë në të cilën mbështetet kallëzimi penal se të pandehurit B dhe A, Murturi kanë kryer veprën që u vihet në barrë”. Në aktgjykimin e Supremës thuhet se prokurori në kërkesën për vazhdimin e paraburgimit “nuk ka arritë të përfshijë provat që mbështesin bazat e artikulueshmërisë për vazhdimin e paraburgimit, kurse edhe gjykatat e instancave më të ulëta në këtë drejtim nuk kanë dhënë arsyet e duhura”.
Por, kundër vendimeve të shkallës së parë dhe të dytë, “kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë kanë ushtruar mbrojtësi i B.Murturi, avokati Fitim Limani për shkak të aplikimit të gabuar të dispozitave të KPPRK-së për vazhdimin e paraburgimit, me propozim që Gjykata Supreme t’ia miratojë sit ë bazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të pandehurit t’i ndërpritet masa e paraburgimit, ndërsa kjo masë t’I zëvendësohet me një masë më të butë”, thuhet në aktgjykimin e Supremes.
Edhe mbrojtësi i A.Murturi, avokati Agron Curri i ka propozuar Supermes që të ndryshojë aktvendimin e shkallës së parë dhë të dytë, “në mënyrë që i pandehuri të lirohet nga paraburgimi apo t’i shqiptohet një masë më e butë apo lënda të kthehet në rivendosje”.
Kësisoj, prokurori i rastit ka propozuar që kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë të avokatëve të të pandehurve të refuzohen si të pabazuara.
Por, Gjykata Supreme gjeti se kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë janë të bazuara.
Gjykata Supreme e Kosovës ka vlerësuar se janë të bazuara pretendimet e mbrojtësve të të pandehurve, për faktin se si kusht elementar që duhet të përmbushet për vazhdimin e paraburgimit është dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale e cila u vihet në barrë.
Supermja vlerëson se gjykata e shkallës së parë me aktvendimin e atakuar i cili është vërtetuar edhe nga gjykata e shkallës së dytë nuk kanë dhënë “arsyetim për asnjë provë në të cilën mbështetet kallëzimi penal se të pandehurit B dhe A, Murturi kanë kryer veprën që u vihet në barrë”.
Edhe pse kundër aktvendimeve Sh.Murturi nuk ka ushtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, kjo gjyjkatë vendosi për ndërprerjen e paraburgimit edhe ndaj tij sipas parimit “beneficium cohesionis”.
Prokuroria Themelore e Prishtinës ka konfirmuar të mërkurën për Gazetën Express se ka paraqitë kërkesë për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj tre vëllezërve Murturi dhe kjo masë pritej të ju skadonte me 22 tetor.
Zeqir Berisha, Imam në xhaminë e Lupçit të Poshtëm të Podujevës, u rrah brutalisht mbrëmjen e 21 korrikut pasi doli nga vetura e tij për ta falë namazin e jacisë. Imami qëndroi rreth tri javë i shtrirë në spital, por akoma ndodhet në pushim mjekësor për shkak të lëndimeve të rënda trupore që i janë shkaktuar.
Imami Berisha tha se nuk e ka pritë sulmin fizik ndaj tij, teksa shton se të dyshuarit e goditën prapa shpinës me mjete të forta duke e lënë pa vetëdije.
“Unë s’e kam pritë atë sulm sepse kam shkuar në xhami, ne kemi pas disa fërkime të vogla ashtu por, jo në atë nivel që të më sulmojnë. Unë kam shku me kry detyrën time, kam shku me falë namazin e jacisë dhe ndodhi në mënyrë tinzare mbrapa. Pasi e kam parku makinën aty pranë xhamisë e kam mbyllur kam tentu me hy në xhami, atëherë nga mbrapa më kanë sulmu edhe jam alivanos kam ra në tokë, s’kam ditë gjë më. Unë s’i kam pa asnjë sepse më kanë sjellë nga mbrapa, edhe intervistën kur e kam dhënë në prokurori kam thënë që sulmi ka qenë nga mbrapa”, tha Berisha për Gazetën Express.
Nga goditjet e forta, Imamit i është çarë edhe kafka, ka pësuar lëndime në fytyrë, në dorë dhe në gjunjë.
Imami Zeqiri tha se ka pasur mospajtim me vëllezërit Murturi për mënyrën e faljes së namazit, të cilët sipas tij i ka këshilluar të falen njësoj sikurse xhemati që të mos krijohet përçarje.
“Sipas gjitha rrethaneve unë kam pas mospajtim me këtë grupin vehabist që është shumë i papërgjegjshëm, e kam këshilluar që të falen sikur ne mos të në bajnë ngatërresa e përçarje në xhemat. Mirëpo ata kanë vazhduar avazin e tyre, kështu që unë jam i bindur që prej grupit të tyre. Unë në atë moment nuk i kam parë, policia po e heton rastin”, tha ai.