“Nuk është sekret që ne kemi kërkuar një periudhë më të gjatë të zbatimit, dhe kemi kërkuar edhe 10 muaj të tjerë. Do të doja ta shihja këtë që të ndodhte. Kjo nuk është vetëm kërkesë e ShBA-ve, por e gjithë QUINTIT. Dhe, kjo është për shkak se ne jemi shtetet që e përkrahim më së shumti Kosovën. Besojmë se është e rëndësishme që kur ne bëjmë rekomandime, njerëzit t’i dëgjojnë ato”, ka thënë Escobar.
I dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë vizitës së djeshme në Prishtinë ka thënë se ka kërkuar nga presidentja, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, që të shtyhet vendimi për targat.
Escobar ka kërkuar që vendimi për targa të shtyhet për 10 muaj.
Emisari i SHBA-ve, Gabriel Escobar gjatë vizitës në Prishtinë më 19 tetor 2022.
Lidhur me këtë kërkesë të Escobar, nga Qeveria e Kosovës i kanë thënë se i ndajnë dhe i kuptojnë shqetësimet e emisarit të SHBA-ve.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka thënë se njëkohësisht e kanë për obligim edhe sundimin e ligjit, kushtetutshmërinë dhe vendimet qeveritare.
“Ne i kuptojmë shqetësimet dhe brengat e zëvendës Ndihmës Sekretarin për Çështje Evropiane dhe Euroaziatik edhe përfaqësuesit amerikan për Ballkanin Perëndimor, z. Gabriel Escobar dhe i ndajmë po ato me të, sepse siguria e paqja janë vlera dhe interes jetik e i përbashkët. Njëkohësisht, ne kemi për obligim sundimin e ligjit, kushtetutshmërinë, vendimet qeveritare. Njëra nuk bën ta përjashtojë tjetrën. Nuk është data 30 e as 31 tetor sot”, ka thënë Kryeziu.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve serbë që të vazhdojnë me konvertimin e targave në RKS.
“Jemi në kuadër të fushatës për konvertimin e targave ilegale në ato legale RKS. Ju bëjmë thirrje përsëri qytetarëve serbë të Kosovës që t’i konvertojnë targat duke përfituar nga lirimi tatimor e doganor”, ka thënë Kryeziu.
Vendimi për targa ishte paraparë të hynte në fuqi më 1 gusht, por u shty për një muaj pas incidenteve armatosura që ndodhën në veri të vendit.
Ndryshe, vendimi i ekzekutivit për targat ka filluar të zbatohet nga 1 shtatori dhe qytetarët serbë kanë kohë deri më 31 tetor t’i rikthejnë targat e tyre të lëshuara nga Serbia në ato të Republikës së Kosovës.