Kuvendi i Kosovës, pas disa muajsh zvarritje, ka arritur që t’i votojë disa prej marrëveshjeve ndërkombëtare. Deri tash, janë votuar pesë prej tyre. Votimi i këtyre marrëveshjeve vjen fiks një muaj pasi Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, tha se opozita duhet t’i jap fund bllokadës dhe t’i votojë marrëveshjet, duke përjashtuar nga kritika e tij LDK’në. AAK’ja i është përgjigjur thirrjes së Rohdes duke votuar pro, derisa PDK’ja s’ka marrë fare pjesë në votim. Rohde ka reaguar sërish pas votimit, duke e quajtur lajm të mire për Kosovën.
Me duartrokitje nga deputetët e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, është përcjellë sot votimi i marrëveshjes ndërkombëtare për “Rehabilitimin e linjës hekurodhore 10 B”. Kjo ishte marrëveshja e parë ndërkombëtare që u votua sot, meqë këto marrëveshje janë bartur që disa muaj nga seanca në seancë.
Radhazi u votuan pesë të tilla, me votat e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, derisa Partia Demokratike e Kosovës nuk mori fare pjesë në votim.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se partia e tij s’do të votojë asnjë marrëveshje ndërkombëtare meqë vendi gjendet nën masa ndëshkuese nga Bashkimi Europian.
“Si GP i PDK në asnjë rrethanë nuk pajtohemi që sot të vijnë për diskutim e votim marrëveshjet tjera ndërkombëtare. Si GP i PDK nuk do t’i votojmë sepse vendi është nën masa dhe sanksione pikërisht nga BE”, tha Tahiri.
Ndërkohë, LDK’ja e kundërshtoi marrëveshjen me Fondin OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar, ku Shefi i Grupit Parlamentar i LDK’së, Arben Gashi tha se do të votojnë kundër.
Pas dështimit që të votohet marrëveshja me OPEC, në rend ishte Projektligji për ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze.
Edhe kjo marrëveshje, u shty për votim, meqë kishte kundërshtime nga deputetët. Shefi i GP të LDK’së tha se mes deputetëve të kësaj partie ka kundërshtime dhe se edhe nëse hedhet në votim, disa do të votojnë kundër.
Vetë Gashi ngriti katër shqetësime lidhur me këtë marrëveshje, sa i përket vizitave të familjarëve të të burgosurve, lirimin me kusht, gjysmë-lirinë dhe çka pas përfundimit të dënimit.
Lidhur me këto shqetësime, atij iu përgjigj Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila tha se të gjitha këto i ka marrë përsipër Mbretëria e Danimarkës.
“Asnjë prej këtyre personave nuk do të qëndrojnë në Republikën e Kosovës. Ne do t’i transfmerojmë në aeroport dhe pastaj përgjegjësinë e merr Qeveria daneze. Ne nuk kemi pune me vendet e treta, por vetëm me Mbretërinë Daneze. Ata merren me vizitat familjare e të tjerat”, tha Haxhiu.
Ndërkohë, deputeti Armend Zemaj, shprehu shqetësim për shumën që është paraparë për renovimin e objjektit korrektues në Gjilan, sipas rekomandimeve daneze.
“Pse duhet nga buxheti i Kosovës të financojmë për renovimin’, pyeti ndër të tjera Zemaj.
Por, Haxhiu tha se këtë shumë, Danimarka do t’ia kthej sërish buxhetit të Kosovës.
“Është e vërtetë që për renovimin e burgut të Gjilanit do të shkojnë deri në 5 milionë euro. Këto pastaj Danimarka do ti kthej në buxhetin e Republikës së Kosovës”, tha Haxhiu.
Ndërkohë, deputeti Driton Selmanaj, pyeti nëse kjo do të jetë marrëveshja e fundit e tillë që bën Kosova. Aty Ministrja Haxhiu e pranoi se kanë pranuar kërkesa për marrëveshje të tilla edhe nga shtetet tjera, por se i kanë refuzuar.
“Sa i përket asaj se a do të ndalet Kosova me këtë marrëveshje, mua më duhet të bëhem e sinqertë. Pas kësaj marrëveshje, ka pasur edhe vende të tjera që kanë kërkuar të bëjmë marrëveshje të njëjta, mirëpo ne nuk kemi pranuar. Ky është qëndrimi i kosovës tani për tani, sepse konsiderojmë që e kemi këtë”, ka thënë Haxhiu.
Ajo tha se edhe me Mbretërinë e Danimarkës, marrëveshja është bërë që të mos prishen raportet dhe shkaku i mbështetjes që Danimarka i ka dhënë vendit në procese të ndryshme, derisa theksoi se dakordimin e ka bërë qeveria paraprake.
“…që të mos i prishim marrëdhëniet me Mbretërinë e Danimarkës për shkak të mbështetjes që Mbretëria e Danimarkës na ka dhënë në procese të ndryshme, përfshirë këtu edhe Këshillin e Evropës ku ne pretendojmë që të anëtarësohemi. Kemi konsideruar që është e rëndësishme që ta vazhdojmë, mos ta ndërpresim këtë dakordim që e kishte bërë Qeveria paraprake”, tha Ministrja.
Ndërkohë, edhe një deputet i pushtetit tha se s’do të votojë “pro”. Deputeti Gazmend Gjyshinca tha se do të abstenojë në momentin kur kjo marrëveshje të hidhet në votim.
“I kuptojmë aleancat e linjat. Kosova ka ditur të jetë krah aleatëve. Është dëshmuar me Afganistanin, kemi pritur refugjatë. Mirëpo në lidhje me pikën të cilën po diskutojmë, dua ta shpreh shqetësimin tim që do të përkthehet pastaj në votë abstenuese. Mbi çfarë ndërtohet ky shqetësim ka të bëjë më një refuzim ideologjik që unë e kam përballë nismave të tilla. E shoh në perspektivën e prestigjit të shtetit, të drejtës ndërkombëtare”, tha Gjyshinca.
Lidhur me zvarritjen e votimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, fiks para një muaji kishte shprehur shqetësim edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
Ai kishte kërkuar nga partitë opozitare, të cilat nuk po marrin pjesë në votimin e marrëveshjeve ndërkombëtar, që ta ndërpresin këtë dhe t’i japin fund bllokadës.
Rohde kishte thënë se është i shqetësuar për mosmiratimin e vazhdueshëm të këtyre marrëveshjeve, që sipas tij sjellin miliona euro përfitime për qytetarët.
“Të shqetësuar për mosmiratimin e vazhdueshëm të marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend që mund të sjellin miliona përfitime për qytetarët e Kosovës. Projekte të mëdha energjetike dhe bujqësore midis Gjermanisë dhe Kosovës janë në rrezik. Duhet një qasje konstruktive nga të gjithë akterët, opozita duhet t’i japë fund bllokadës”, ka shkruar ai.
Nga kritika e tij, ai kishte përjashtuar LDK’në.
“LDK-ja nuk është pjesë e qasjes bllokuese të opozitës të cilën e kam përmendur”, kishte shkruar Rohde.
Disa ditë më pas, ambasadori kishte thënë se për marrëveshjet gjermane ka afate kohore dhe nëse paratë nuk shpenzohen ato i humbin Kosovës.
“Mendoj që është e rëndësishme për Kosovën dhe qytetarët e saj që këto marrëveshje të votohen së shpejti sepse Kosova do të humbasë shumë para nëse këto marrëveshje nuk votohen së shpejti. Është në interes të të gjithë vendit. Qeveria ime ka disa marrëveshje – është një kredi e dhënë nga KFË, e cila do të ndihmojë për të modernizuar, për shembull, infrastrukturën e energjisë elektrike në Kosovë. Ka një kredi ndërkombëtare ose ka fonde nga GIZ-in për zhvillimin rural. Këta janë vetëm disa shembuj Në rastin tonë ka afate buxhetore dhe nëse paratë nuk shpenzohen ato shkojnë dhe kjo do të ishte shumë fatkeqësi për Kosovën, por edhe për taksapaguesit gjermanë sepse paratë nuk mund të shpenzohen”, kishte thënë Rohde.
E pas votimit të marrëveshjeve, Rohde ka reaguar sot, ku e ka quajtur këtë lajm të mirë për Kosovën.
“Lajm i mirë për Kosovën 🇽🇰! Më në fund drita jeshile për marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare, të arritura përmes konsensusit ndërpartiak sot në parlament. 🙌 Nga këto do të përfitojnë njerëzit dhe mbarë vendi”, ka shkruar Rohde.
Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti dhe ministrat e tij, kishin refuzuar t’u përgjigjen pyetjeve parlamentare të deputetëve të opozitës, duke thënë se përgjigje mund të marrin vetëm kur të votojnë këto marrëveshje.
Lidhur me këtë veprim të ekzekutivit, ka folur sot kryeparlamentari Glauk Konjufca.
“Së pari, sa i përket pyetjeve parlamentare, po jap qëndrimin tim. Qeveria, kryeministri dhe ministrat e kanë obligim me iu përgjigj pyetjeve parlamentare. Edhe në çdo mospërgjigje e kanë vërejtjen e qartë të parlamentit dhe kryetarit të parlamentit që kjo nuk është mirë. Tek e fundit, ekziston në përgjegjësi publike të personave që të jenë të përgjegjshëm para Kuvendit të Kosovës, e në këtë rast Qeveria e ministrat”, tha Konjufca.