Molliqaj: Kam informacione se ish-krerët e UÇK-së në Hagë janë izoluar, s’po i lejojnë të komunikojnë as me njëri-tjetrin

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, pretendon se ish-krerët e UÇK-së, të cilët po gjykohen në Hagë, janë izoluar dhe se nuk po lejohen të qëndrojnë me njëri-tjetrin.

Molliqaj tha se kjo është një tentativë e Gjykatës Speciale për t’i thyer e nënshtruar.

“Ka një shtim të përndjekjes të krerëve të UÇK-së. Sa më shumë që rritet padrejtësia dhe rritet edhe përndjekja. Nga ato që u bënë publike, u pretendua shumë, në fund doli se janë mbledhë, kanë fol e kanë lëshu muzikën, gjë që është normale. Ndjenjë më jep që është tendencë për me i thy që nuk besoj se do të ndodhë. Informatat që i kam ndonëse nuk janë të konfirmuara, duket që janë të sakta. Ka mundësi që i kanë izoluar, nuk kanë qasje me njeri-tjetrin, ata kanë qëndru në burg të lirë, gjatë gjithë ditës deri tani”, tha ai.

“Kam informacione, nuk është 100% por është informacion kredibil. Nuk është fjala që vetëm ua kanë ndaluar komunikimin me të tjerët por edhe mes vete”, vijoi ai.

Molliqaj tha se Gjykata Speciale po ua shkelë të drejtat themelore ish-krerëve të UÇK-së, dhe se sipas tij shteti i Kosovës do duhej të kërkonte më shumë përgjegjësi.

“Atyre po u shkelen të drejtat, kjo do duhej të ishte alarm. Shteti do duhej të kërkonte përgjegjësi, ka heshtje, edhe nga partitë opozitare me përjashtim te disa deputetë. Gjendja është alarmante”, tha ai.

Molliqaj u shpreh se aksionet e Gjykatës Speciale në Kosovë, po bëhen për t’i frikësuar qytetarët. Konfiskimet që ata po i bëjnë sipas tij janë të paligjshme.

DTV

Leave a Reply

Your email address will not be published.