I dyshuari jep versionin e tij se si ndodhi konflikti që çoi deri te shpërthimi në Tregun e kafshëve në Prizren

Në Gjykatën e Prizrenit u mbajt sot seanca dëgjimore lidhur me kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit për Remzi Murtezin, i cili po dyshohet për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm lidhur me shpërthimin në tregun e kafshëve në Prizren.

Fillimisht kërkesën e shtjelloi Prokurori i rastit Labinot Jetishi, ndërsa në këtë seancë u dëgjua edhe versioni i vetë të dyshuarit Murtezi.

Sipas Murtezit, të dëmtuarit e kishin sulmuar me shufër metalike gjersa kishte qenë duke i shkarkuar demat nga kamioni së bashku me vëllanë e tij, Xhevdet Selimi.

Ky i fundit është i dyshuar në këtë rast por akoma nuk është arrestuar nga Policia e Kosovës.

“Katër – pesë copa i kemi zbrazë nga kamioni dhe në atë moment e kam dëgjuar një zënkë jashtë, kam fillu me dalë prej kamionit dhe aty më kanë pritur [të dëmtuarit] dhe menjëherë më kanë sulmuar duke më goditur me shufër të hekurit dhe në atë moment jam alivanosur”, tha i dyshuari në Gjykatë.

Ai shtoi se Murtezi do ta respektojë një masë të tillë duke marrë parasysh edhe lëndimet e pësuara nga ngjarja.

“I mbrojturi im përveç që nuk ka marrë pjesë në këtë akt aspak të dëshirueshëm por edhe të kundërligjshëm i cili ka ndodhur në tregun e kafshëve në Prizren, ky megjithatë gjatë hetimeve do të bashkëpunojë me organet e drejtësisë dhe do të kontribuojë në zbardhjen e këtij rasti”, tha avokati  Sylë Hoxha.

Sipas prokurorit Labinot Jetishi, dy të dyshuarit, pas një mosmarrëveshje me të dëmtuarit, në bashkëpunim me Xhevdet Selimin i cili akoma nuk është arrestuar, aktivizojnë dhe hedhin një mjet shpërthyes i cili kishte fuqinë e përhapjes së pakontrolluar.

Përmes këtij shpërthimi të dëmtuarve A.S, B.S, B.P, M.B N.B, M.S, A.M, F.S dhe B.V kanë pësuar lëndime të ndryshme trupore.

Mjeti shpërthyes, sipas Prokurorisë, mbetet ende i panjohur.

Nga këto veprime të të akuzuarve Prokuroria tha se është shkaktuar rrezik për jetën e njerëzve prandaj në këtë fazë Prokuroria konsideron se ekziston dyshimi se të akuzuarit kanë kryer veprën penale të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm.

Këtë dyshim Prokuroria ka deklaruar se e bazon në raportet policore, deklaratat e dëshmitarëve si dhe raportet mjekësore.

Leave a Reply

Your email address will not be published.