Ambasadori gjerman: Procesi i Berlinit po kthehet në Berlin

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se procesi i Berlinit, po kthehet sërish në Berlin dhe tani do të kryesohet nga kancelari Olaf Scholz.

Rohde tha se ministrat nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor nesër do të shkojnë në Berlin për të diskutuar për disa tema.

“Procesi i Berlinit po kthehet në Berlin, i kryesuar nga Gjermania dhe i organizuar nga kancelari, Olaf Scholz. Gjatë ditës së nesërme, ministrat e brendshëm, të jashtëm dhe të energjisë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor do të diskutojnë luftimin e krimit të organizuar, tregu i përbashkët rajonal dhe agjenda e gjelbër”, ka shkruar Rohde përmes një postimi në Twitter.

Më tej ai ka thënë se “është thelbësore të shfrytëzohet kjo mundësi, të ndërmerren hapa të rëndësishëm për thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe nënshkrimin e marrëveshjeve konkrete në mënyrë që të sjellë përfitime për qytetarët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

“Gjermania është e vendosur fort për të mbështetur dhe lehtësuar këtë proces dhe është e gatshme të marrë drejtimin për të nxitur sa më shpejt anëtarësimin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian!”, ka shkruar Rohde.

Ambasadori Rohde para disa muajsh ka thënë se kancelari gjerman po e promovon Procesin e Berlinit, sepse e kanë filluar ata, mirëpo shton se nuk do të kritikojnë shtetet që duan të fuqizojnë bashkëpunimin rajonal përmes iniciativës së “Ballkanit të Hapur”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.