PDK ka paralajmëruar se do ta dërgojë në Kushtetuese Projektligjin për Fondin Sovran nëse votohet në lexim të dytë.
Kështu ka bërë të ditur shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Abelard Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
“Ne si GP i PDK-së e kemi kundërshtuar këtë projektligj sepse konsiderojmë që në kuadër të strukturës ekonomike të vendit tonë dhe në kuadër të rendit tonë kushtetues është e pamundur të vendoset një strukturë e tillë. Në anën tjetër, sa i përket benefiteve nga kjo strukturë, ne konsiderojmë që është vetëm një strukturë burokratike në kuadër të vendimmarrjes që lidhet me çështje ekonomike, ndërmarrjet publike dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Konsiderojmë që është strukturë e padobishme”, ka deklaruar ai.
“Nëse do të kalojë, ne si Grup Parlamentar i PDK-së do ta dërgojmë në Gjykatë Kushtetuese dhe jemi të bindur se kjo strukturë ka vetëm një formë që mund të ndërtohet, vetëm me ndryshime kushtetuese”,ka shtuar Tahiri.
Ai po ashtu ka folur edhe për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke ka thënë se po flitet për një asociacion që në kompetenca është paralel me Republikën e Kosovës.
“Tash e një muaj krejt debati për Asociacionin është i bazuar në një draft që nuk është mohuar nga askush, as nga zyrtarët evropianë, as nga Qeveria, as nga Presidenca, por duhet të jetë si drafti më i përafërt me atë se çfarë ka sot kryeministri Kurti në tavolinë. Fatkeqësisht kjo është një strukturë paralele shtetërore në institucionet e Republikës së Kosovës tashmë ekzistuese. Asociacionet kudo në botë nuk kanë karakter vendimmarrës, janë këshillues. Këtu nuk po flitet më për asociacion, në kompetenca është paralel me Republikën e Kosovës. Këtu është kapërcimi i madh që e ka bërë Albin Kurti”,ka thënë ai.