Kushërira e presidentes Osmani kishte punuar si këshilltare ligjore e Abdixhikut

Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës ka emëruar sot Luljeta Plakolli – Kasumin, vajzën e tezës së presidentes Vjosa Osmani në pozitën e ushtrueses së detyrës së rektores.

Ajo është emëruar në këtë pozitë pas shkarkimit të tashmë ish-rektorit Naser Sahiti.

Mirëpo, kjo nuk është hera e parë që e afërmja së presidentes së vendit rehatohet në një pozitë nga shteti.

Kushërira e Vjosa Osmanit, gjatë Qeverisë Kurti 1 ka punuar si Këshilltare e Jashtme Ligjore në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit.

Më gjegjësisht ajo ka qenë këshilltare ligjore e kabinetit të ministrit të atëhershëm Lumir Abdixhikut.

Siç shkruan në CV-në e saj ajo ka punuar në kabinetin e ministrit Abdixhiku për rreth katër muaj.

Emërimi i saj në këtë pozitë është bërë 8 ditë pasi Lumir Abdixhiku kishte marrë zyrtarisht detyrën si ministër dhe detyra e saj kishte përfunduar pas rrëzimit të Qeverisë.

Luljeta Plakolli – Kasumi kishte punuar në këtë pozitë nga 12 shkurti i 2020-ës deri më 29 maj të po këtij viti.

Kujtojmë se në atë kohë presidentja e tanishme e vendit ishte pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe njëherësh bashkë-partiake e Lumir Abdixhikut.

Ndryshe, vetë Luljeta Plakolli – Kasumi ka pranuar faktin se ka lidhje familjare me presidenten e vendit, mirëpo ka thënë se me presidenten janë kushërira të largëta.

“Nëse mu ka propozuar emri, ajo është me siguri për shkak të meritave të mia, punës time jo pse jam familjare e dikujt”, ka deklaruar ajo.

Luljeta Plakolli Kasumi, siç ishte raportuar më herët në media kishte arritur që në qershor të vitit të kaluar të vaksinohej me vaksinën antiCOVID, ndonëse sipas rregullave të atëhershme vaksinimi bëhej sipas moshës së caktuar.

Kushërira e presidentes Osmani kishte arritur të zinte një vend në listën e vaksinimit teksa derisa mijëra të moshuar mbi moshën 65-vjeçare prisnin në radhë për të marrë dozat e para.

Leave a Reply

Your email address will not be published.