Pritjet e gjata për të marrë shërbime specialistike në ambulancat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, janë bërë shumë të mundimshme për qytetarët.
Ata janë të obliguar të zgjohen herët dhe të presin me orë të tëra nëpër recepsione, dhe nëse kanë fat, kontrollohen.
Numri i madh i pacientëve në këto klinika, sipas drejtuesve në QKUK, ndodh për shkak të numrit të lartë të rasteve që referohen nga komunat e tjera të Kosovës.
Hamit Hajdari nga Kaçaniku tregoi se ishte zgjuar në orën 05:00 të mëngjesit për të arritur i pari në njërën prej ambulancave specialistike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.
Për Hajdarin që udhëtoi rreth 60 kilometra, pritja ishte e gjatë dhe e mundimshme.
“Në orën 6:30 na kanë thënë të jemi këtu, për t’i marrë numrat. Me vite është ky sistem i punës kështu. Vjen pacienti pret, qe, siç e shihni edhe vetë. Kjo nuk është në rregull se është një pritje shumë e gjatë e panevojshme”, thotë Hajdari.
“Nëse arrin ta marrësh numrin herët, kryen punë i pari, nëse vjen me vonesë siç vijnë disa, mbetesh nga ora 6:00 deri në orën 12:00 të ditës”, thotë ai.
DTV