Abdixhiku: LDK javën e ardhshme del me qëndrim zyrtar për draftin e Asociacionit

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në fund të javës së ardhshme do të dalë me një qëndrim zyrtar lidhur me draftin e Asociacionit të propozuar nga Bashkimi Evropian.

Kështu ka bërë të ditur të shtunën kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.

Ai ka deklaruar se për partinë që drejton drafti për Asociacioni, është një autonomi e zgjeruar territoriale me tendencë drejt federalizmit.

“LDK nëpërmjet këshillit të përgjithshëm ka autorizuar kryesinë e sapo zgjedhur që të merr një qëndrim dhe gjatë ditëve në vijim, përkatësisht nga fundi i javës, kryesia e LDK-së do të mblidhet dhe do të diskutoj për draftin që unë do t’ia dorëzoj sot, pra draftin që unë kam pranuar nga ndërmjetësuesit, do t’ia dorëzoj sot kryesisë dhe ata do të kenë kohë të mjaftueshme që të bëjnë analiza e nevojshme deri në fund të javës”

“Po ashtu, në çështjet tjera organizative, morëm vendim në ditët dhe javët në vijim të nisim procesin konsultativ të brendshëm në hartimin e listës zgjedhore të deputetëve të LDK-së, për zgjedhjet e ardhshme. Është një praktikë e re por synojmë që shumë më herët të bëjmë listën zgjedhore e cila më pak do të jepte kohë kandidatëve të organizohen”, është shprehur Abdixhiku.

Sipas tij, në mbledhjen që zgjati mbi 2 orë e gjysmë, janë pajtuar që të kenë prezencë në terren në diskutime në gjithë Kosovën. Ai ka komentuar edhe paralajmërim e presidentes Osmani për takim me opozitën për të diskutuar draft-statutin e Asociacionit, duke thënë se do të marrë pjesë edhe pse ende nuk ka marrë ftesë të tillë.

“Natyrisht se po, por këto qëndrime që po i bëj publike, do t’i bëj edhe në atë takim, pra për LDK-në, ndonëse është ende lexim i imi si kryetar i partisë, ne do të presim kryesinë për të marrë qëndrimin përfundimtar por për LDK-në draft statuti është një autonomi e zgjeruar territoriale me tendencë drejt federalizmit”.

“Ajo çka unë shqetësohem është me papërgjegjësinë e institucioneve të vendit, kryesisht të Qeverisë, të cilët tek tani e kanë kuptuar atë që ia themi vazhdimisht, pra unë gëzohem që tani më në fund thonë se Kosova është dashur të bëj vet draft statutin e Asociacionit por kjo është pikërisht gjëja që kemi thënë tash e sa vite”, ka thënë Abdixhiku.

DTV

Leave a Reply

Your email address will not be published.