“Vuçiq në takime private para zyrtarëve në Bruksel thotë se e kupton që duhet ta njohë Kosovën, por duhet ta përgatit terrenin dhe i duhet kohë. Pastaj publikisht thotë se kurrë nuk do ta njoh Kosovën”, tha Bislimi për RTK 2.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se njohja e shtetit të Kosovës është e rëndësishme, por se përparimi i vendit nuk varet vetëm nga ajo, ndërsa shtoi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në takimet private në Bruksel thotë se se ai e kupton se duhet ta njohë Kosovën, por kjo kërkon kohë.
Ai ka shtuar se Kosova është kujdesur që në Bruksel të dëshmojë se “progresi i Kosovës nuk varet vetëm nga njohja”.
“Njohja është e rëndësishme për ne, i kontribuon paqes, por Kosova mund të zhvillohet edhe pa njohje. Në fakt, ne kemi dokumentuar gjatë 18 muajve të fundit se në këtë rast, njohja dhe normalizimi i kontribuojnë më shumë Serbisë sesa Kosovës”, tha shefi i ekipit negociator të Kosovës në dialogun me Serbinë.
Ai pohon se Kosova është tashmë e demokratizuar, ka rritjen më të madhe ekonomike ndonjëherë dhe progres në sundimin e ligjit.
“Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Serbinë. Prandaj, nëse njohjen reciproke e shohim peng, atëherë Serbia është më shumë peng se Kosova i kësaj njohjeje reciproke”, tha Bislimi.
Duke folur për iniciativën franko-gjermane, Bislimi tha se po përpiqet të gjejë një “zgjidhje të përkohshme para zgjidhjes përfundimtare me njohjen reciproke në qendër” dhe se numri i personave që kanë qasje në informacion është “shumë i kufizuar”.
“Mendoj se përputhet me idenë e një dialogu konstruktiv që nuk duhet të komprometohet nga zbulimi i detajeve, të cilat në këtë fazë mund të bëjnë vetëm dëm. Por ajo që është transparente është se ka një propozim, është diçka me të cilën po merren palët dhe do ta njoftojmë me shkrim ose në një takim të ardhshëm në kohën e duhur”, deklaroi Bislimi.