Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami e ka quajtur ‘lëmoshë’ ndarjen e 100 eurove nga Qeveria për fëmijët dhe pensionistët.
Sipas Bajramit kjo është puna më e lehtë dhe gjëja e vetme që di ta bëjë Qeveria.
“S’ka çerdhe të reja, s’ka rritje të pagave në arsim, s’ka asnjë refomë që tri vite, s’ka sigurime shëndetësore, s’ka asnjë ndryshim të politikave fiskale, derisa në kurriz të rritjes së çmimeve qytetarët paguajnë dyfish më shumë tatime, çohen e ndajnë lëmoshë nga 100 euro, sepse kjo është puna me e lehtë, sepse kjo është gjëja e vetme që dinë të bëjnë”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka potencuar se Qeveria ka dështuar t’i ndërtojë 160 çerdhet e premtuara e po ashtu të përballet me inflacionin.
“Ka dështuar të bëj sigurimet shëndetësore dhe vargu i dështimeve nuk përfundon me kaq. Në vend të realizimit të premtimeve dalin dhe japin nga 100 euro në fundvit për fëmijët e pensionistët. Nuk i ndajnë këto mjete se i kanë planifikuar për këto kategori, por sepse kanë dështuar të realizojnë projektet, nuk po i realizojnë premtimet dhe dalin e ndajnë milionat, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka nënvizuar se kërkesa e LDK-së është që të indeksohen pagat dhe pensionet bazuar në normën e inflacionit e që do të ishte një rritje prej 17% krahasuar me 2021 , teksa kjo sipas saj do të ishte me e madhe se 100 eurot e njëhershme që i jep Qeveria.