/

Tahiri: Do ta çojmë në Kushtetuese Fondin Sovran, cënon Kushtetutën, i bazuar në ekonomi komuniste

Shefi i GP parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka reaguar pasi dje në Kuvend është votuar ligji për Fondin Sovran. Ai procesin e ka quajtur si angazhim kundër rendit kushtetues, meqë përmes Fondit Sovran thotë se cenohen parimet themelore të organizimit ekonomik të Kosovës.

Tahiri ka thënë se PDK do ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese ligjin për Fondin Sovran duke u zotuar se do të angazhohen që me argumente juridike ta rrëzojnë, meqë sipas Tahirit bazën e ka në ekonomitë komuniste.

“Prandaj, do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese, ku me argumentet juridike do të angazhohemi për ta rrëzuar edhe këtë ligj, që bazën ideologjike e ka në ekonomitë komuniste”, ka shkruar Tahiri.

Reagimi i plotë:.

Në seancat e djeshme të Kuvendit, shumica parlamentare rikonfirmoi angazhimin kundër rendit kushtetues.

I tillë ishte rasti me miratimin e Ligjit për Fondin Sovran, me të cilin cenohen parimet themelore të organizimit ekonomik të Republikës, si konkurrenca e lirë, liria ekonomike, trajtimi i barabartë i investitorëve.

Me këtë ligj, mëtohet të krijohet një megastrukturë burokratike që dëmton buxhetin e shtetit, krijon pasiguri juridike dhe mbi të gjitha cenon vlerën kushtetuese të sundimit të ligjit, sepse në organizimin dhe funksionimin e tij, nuk do të zbatoj as ligjin bazik për ndërmarrjet publike, as ligjin e punës, as të prokurimit publik por do të qeveriset sipas tekeve të kuazi ekspertëve të shitur.

Ky ligj, qindra miliona euro koncentron në duart e një grupi të pushtetit, ndërsa mijëra punëtorë të ndërmarrjeve rrezikojnë të mbesin në rrugë, duke i zëvendësuar me militantë partiak e me familjarë të pushtetarëve.

Prandaj, do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese, ku me argumentet juridike do të angazhohemi për ta rrëzuar edhe këtë ligj, që bazën ideologjike e ka në ekonomitë komuniste.

Ndërsa dje shumica parlamentare, po ashtu, pas një cirku votimesh, miratoi edhe shkarkimin e anëtarit të Këshillit Prokurorial nga radha e profesorëve univeristar, Prof. Dr. Agron Beka dhe ky vendim paraqet përpjekjen e radhës për të bllokuar këtë institucion të pavarur kushtetues, që më pas ta kapin dhe nënshtrojnë.

Edhe ky vendim përbën cenim arbitar të pavarësisë dhe punës së KPK-së, dhe si grup paralamentar, ashtu siç jemi angazhuar në raste të tjera, edhe kësaj radhe nuk do të lejojmë prishjen e parimit kushtetues të ndarjes së pushteteve duke e dërguar të njëjtin në Gjykatën Kushtetuese.

Leave a Reply

Your email address will not be published.