Ato lloj zjarresh nuk janë aspak afër zjarreve të zakonshme të veturave me derivate, por megjithatë, mund të ndizen.
Nuk vihet në diskutim se zjarret e baterive të veturave elektrike janë të rrezikshme.
Në fakt, një veturë elektrike ka 10 herë më pak shanse të vetë-digjet në krahasim me një automjet me djegie të brendshme.
Por kur zjarri ndodh – mund të jetë shumë i vështirë të shuhet.
Arena EV shkruan se kolegët e tyre të Carbuzz, zbuluan dy aplikime për patentë të bëra nga Audi tek Zyra e Patentave në SHBA, e cila i adresohet çështjes së zjarreve të baterive.
Zgjidhja e ofruar nga Audi duket të jetë e thjeshtë dhe e lehtë për t’u zbatuar, transmeton Telegrafi.
Patenta e parë është paraqitur për një sistem të ri të kontrollit të baterisë.
Kjo zgjidhje prezanton sensorë individualë të montuar në bateri. Secila qelizë e baterisë monitorohet vazhdimisht dhe nëse në ndonjë pikë bie nga rrezja normale e temperaturës, ajo mund të fiket dhe të shkëputet nga e tërë bateria.
Kjo e ndalon ngritjen e temperaturës e cila rezulton në zjarr, dhe nëse do të jetë e nevojshme, mund të fiken edhe një grup qelizash në të njëjtën kohë.
Patenta e dytë i adresohet asaj se çfarë mund të ndodh në rast të ngritjes së temperaturës dhe fikja e qelizave më nuk është e mundshme.
Nëse sistemi kontrollues zbulon se temperatura në një qelizë të vetme ose në një numër të qelizave mund të rritet, atëherë pako e baterive “përmbytet” me pluhur të fikjes së zjarrit e cila nuk e lejon zjarrin ta përfshijë veturën.
Një zgjidhje tjetër interesante është një linjë e jashtme e furnizimit për pluhurin me të cilën mund të lidhet nga zjarrfikësit që do të thotë kontroll efektiv i zjarrit dhe potencialisht një automjet që mund të rregullohet pas zjarrit.