Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë vizitoi ekspozitën “Bebëzat e mallit”, dedikuar fëmijëve të vrarë, të zhdukur dhe të prekur nga lufta në Kosovë.
Kurti u shpreh se ngjarje të këtilla, përveç se mbledhin kujtime dhe e ndajnë dhimbjen, i shërbejnë edhe kujtesës sonë kolektive, për të shkuarën, për të mos e harruar kurrë atë
“Për të nderuar dhe lartësuar kujtimin e fëmijëve të vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës, Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar në projektin për memorialin dedikuar atyre.
Liria jonë i ka rrënjët te të rënët për liri. Vrasjet e fëmijëve në Kosovë janë krimet më të tmerrshme të Serbisë. Andaj, e kemi obligim për lirinë dhe paqen që e gëzojmë, për drejtësinë që e synojmë që kurrë mos t’i harrojmë”, tha Kurti.
Kryeministri në fund shtoi se “i përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë fëmijët e vrarë gjatë luftës në Kosovë”.
Kjo ekspozitë u realizua nga fotografi Korab Krasniqi dhe kuratorja Vesa Sahatçiu.
Krahas së qenit një hapësirë e posaçme e përkujtimit, kjo ekspozitë e hapur në Ministrinë e Drejtësisë është edhe ftesë për reflektim rreth mënyrës se si e mendojmë dhe përfaqësojmë humbjen, individuale a kolektive. /Telegrafi/