“Gjeopolitika e re pas agresionit rus kundër Ukrainës”, ishte temë diskutimi ndërmjet akterëve të politikës kosovare dhe atyre të Bashkimit Evropian, në konferencën e organizuar nga Kolegji Universum, Instituti Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED) dhe Forumi Ballkanik (BF)
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, nuk ka shprehur optimizëm në lidhje me arritjen e një marrëveshjeje të shpejt me Serbinë.
Ai ka përmendur rikontstruktimin e kastës politike në Serbi, e cila sipas tij është e lidhur me Rusinë.
“S’jam optimist për arritjen e një marrëveshjeje të shpejtë me Serbinë. Nëse diçka e tillë të ndodhte, pra sikur Serbia ta njihte Kosovën, do t’i shërbente jo vetëm rajonit, por gjithë Evropës. Besoj që një njohje e Kosovës nga Serbia është e mirë për gjithë Evropën, pasi do të mbyllte disa çështje shumë të rëndësishme”.
I pari i Kuvendit të Kosovës tha se Serbia e ka dhënë mesazhin e qartë se cili është drejtimi i tyre.
“Serbia tashmë e ka dhënë mesazhin e qartë se cili është drejtimi i tyre. E gjithë struktura e rëndësishme e Serbisë, inteligjenca, ushtria, policia, dhe politika e brendshme është e udhëhequr nga personalitete që hapur thonë se Serbia duhet të bashkëpunojë me Rusinë”, shtoi Konjufca, tashmë “kanë treguar se çfarë rruge duan të ndjekin “- tha i pari i Kuvendit të Kosovës.
Ai ka përmendur Vulinin si një shembull konkret që tani udhëheqë me inteligjencën serbe.
“Pastaj është Ivica Daçiq që është rikthyer si udhëheqës i politikës së jashtme”, tha Konjufca.