/

Në mesin e protestave, Serbia mori vendimin për targat RKS, Petkoviq: S’e njohim Kosovën, s’i kemi kaluar vijat e kuqe

Qeveria e Serbisë ka marrë një vendim të papritur për t’i lejuar veturat me targa RKS që të qarkullojnë. Vendimi është bërë i ditur të hënën në  mes të protestave që po ndodhin atje kundër Vuçiqit për shkak të konstatimeve se ka pasur manipulime në zgjedhjet e 17 dhjetorit. Kosova ndërkaq dy herë e ka shtyrë afatin për t’u mundësuar serbëve t’i regjistrojnë veturat në RKS. Mbi 4200 qytetarë atje i kanë ndërruar tabelat deri tani.

Drejtori i Zyrës për Kosovën dhe kryenegociatori serb Petar Petkoviq ka thënë se Serbia po e zbaton marrëveshjen e vitit 2011 për lirinë e lëvizjes të nënshkruar nga Borko Stefanoviq që ka të bëjë targat RKS, letërnjoftimet dhe patentëshoferët. Sipas tij, ky vendim është marrë duke e pasur parasysh obligimin e Kosovës për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit, e jo veç Asociacionin siç ka thënë ai.

Vendimi për hyrjen e automjeteve nga Kosova sipas asaj që ka njoftuar Petkoviq do të hyjë në fuqi nga 1 janari.

Ai ka shpalosur detaje para mediave në Beograd.

“Ai vendim në fakt ishte obligim ynë nga marrëveshja për lirinë e lëvizjes nga viti 2011, e nënshkruar nga Borko Stefanoviq, e cila i referohet targave të RKS-së dhe letërnjoftimeve të Kosovës, futjes së patentë shoferëve të Kosovës dhe është rezultat i marrëveshjeve të atëhershme dhe raporti i asaj qeverie ndaj serbëve dhe dialogu”, ka thënë Petkoviq.

Petkoviq ka shtuar se ky vendim më së shumti ua lehtëson jetën serbëve.

“Sot kemi mundësuar lirinë e lëvizjes për të gjitha automjetet nga zona e Kosovës. Ky do të jetë një impuls shtesë jo vetëm për ‘Ballkanin e Hapur’, por do t’ua lehtësojë jetën serbëve në Kosovë sepse ata përdorin më së shumti vendkalimet administrative. Në fakt i kemi ndihmuar që të mund të udhëtojnë normalisht ata lëvizin dhe jetojnë, sepse liria e lëvizjes është e nevojshme. Në ndryshim nga Kurti që shkel lirinë e lëvizjes, ashtu siç shkel të drejtat e Serbët në Kosovë çdo ditë”.

Ai shtoi se nuk është sekret që 99 për qind e serbëve përdorin targa RKS, sepse kjo është mënyra e vetme “për të mbijetuar dhe për të lëvizur”.

“Ato përdoren edhe nga murgjit dhe klerikët e Dioqezës së Rashka-Prizrenit, për të arritur te faltoret dhe besimtarët e tyre. Sidomos në jug të Ibrit, ku i përdorin prej vitesh. Është e rëndësishme që ta theksoj këtë për hir të të gjithë atyre që kujdesen për shpirtrat që do ta sulmojnë këtë vendim dhe nuk kanë pse ta bëjnë këtë, sepse është rezultat i marrëveshjes së tyre”, ka përsëritur Petkoviq.

Petkoviq theksoi se një njoftim se Serbia nuk e njeh Kosovën do të vendoset në të gjitha pikat kufitare dhe administrative.

“Lejimi i të gjitha automjeteve të regjistruara në Prishtinë për të marrë pjesë në komunikacion në rrugë bëhet ekskluzivisht për arsye praktike, me qëllim që të lehtësohet pozita e individëve dhe të mundësohet liria e tyre e lëvizjes dhe nuk mund të interpretohet si njohje e shpallje e njëanshme e pavarësisë së Kosovës”,

Sipas tij, ky vendim “nuk paragjykon përcaktimin e statusit përfundimtar dhe nuk mund të interpretohet si pëlqim i Beogradit për të devijuar nga të drejtat e garantuara me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në tekstin e mohimit.

Ai ka thënë se teksti duhet të jetë i dukshëm në të gjitha vendkalimet administrative dhe pikat kufitare, si dhe mohimi nga viti i kaluar, kur është bërë i mundur përdorimi i letërnjoftimeve të Kosovës.

I njëjti ka deklaruar se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën.

“As tani e as atëherë nuk e njohim pavarësinë e Kosovës. Dhe, kjo shpjegohet më së miri me faktin se edhe pas atij vendimi vitin e kaluar, presioni ndaj Aleksandër Vuçiqit dhe Beogradit për të njohur të Kosovën, të cilën nuk do ta bëjmë kurrë”, tha Petkoviq.

Petkoviq tha se “targat nuk paraqesin asnjë simbol të shtetësisë dhe sovranitetit”.

Siç shton ai, Qeveria e Serbisë në këtë mënyrë u ka mundësuar serbëve të jetojnë normalisht, si dhe të lëvizin normalisht nëpër vendkalimet administrative në Serbinë qendrore.

“Në këtë mënyrë do t’u mundësojmë njerëzve tanë që të arrijnë më shpejt në Serbinë qendrore dhe t’i kryejnë më shpejt detyrat e tyre, si dhe lëvizje më të shpejtë të automjeteve të emergjencës, që është gjëja më e rëndësishme”, tha Petkoviq.

Sipas tij me vendim të Qeverisë së Serbisë mbrohen të drejtat e popullit serb, ruhet Kushtetuta e Serbisë dhe mundësohet liria e lëvizjes.

“Dhe ne nuk i kemi kaluar vijat tona të kuqe”, thekson ai.

Ai deklaron se me këtë vendim nuk ka njohje të Kosovës.

Tutje, Petkoviq theksoi se Beogradi bëri “absolutisht gjithçka për të ruajtur paqen dhe stabilitetin dhe mbi të gjitha për të arritur përparim në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Prishtinën”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.