/

Rishikimi i teksteve shkollore e rritja e buxhetit, MASHTI shfaq të arriturat

Rishikimi i teksteve shkollore në aspektin përmbajtësor ka qenë një nga projektet e iniciuara sivjet nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Ministrja Arbërie Nagavci në konferencën e fundvitit ka thënë se deri më tani kanë përfunduar 38 tekste në dy profile dhe për nëntë vjet të shkollimit.

“Në fazën e parë janë rishikuar 38 tekste nga gjuha shqipe dhe matematika, nga klasa e parë deri në klasën e nëntë. Për fat të keq akoma përmbajtjet mësimore ofrojnë një mësim të dekontekstualizuar dhe teorik, ato mbështeten në mësimin përmendësh, janë gjetur gabime drejtshkrimore, përkufizime konfuze dhe mungesë e qartësisë në ritmin e të nxënit”, ka thënë ajo.

Tutje Nagavci ka folur edhe për buxhetin e arsimit për vitin e ardhshëm, duke theksuar se mbi 408 milionë euro përbëjnë shumën totale. Ndërkaq, sipas saj, buxheti për arsimin në komuna dhe arsimin e lartë është rritur përmbi 277 milionë euro.

“Kemi vazhduar edhe këtë vit me përkrahjen e nxënësve dhe studentëve tanë. Kemi ekzekutuar pagesat për të gjitha skemat e bursave, do të veçoj që i kemi 1882 studente vajza dhe gra që janë regjistruar për herë të parë në studimet e studimeve STEAM, secila kanë përfituar nga një mijë euro. 1647 janë studentë të nivelit Bachelor dhe Master në Universitetet publike të Kosovës, të cilët kanë notën mesatare 9, kanë përfituar nga një një mijë euro bursa. 28 studentë me aftësi të kufizuara kanë përfituar gjithashtu nga një mijë euro. 58 studentë të komuniteteve RAE janë përfitues të bursave për studime”, ka thënë e para e arsimit.

Ajo ka bërë ditur se arsimi dual është zgjeruar me 8 profile të reja, ndërkaq ka folur edhe për studimet jashtë vendit.

“Edhe këtë vit kemi pranuar me kënaqësi informatën që po rritet numri i përfituesve nga Kosova në programin Erasmus+. Në thirrjen e këtij viti në fushën e arsimit të lartë, janë përzgjedhur për financim nga Komisioni Evropian 13 projekte me 27 institucione përfituese nga Kosova. Nga këto 13 projekte, 4 institucione të arsimit të lartë janë bartës të tyre”, ka thënë Nagavci.

Po ashtu për projektligjin për tekstet shkollore që të mos shpërndahen sikurse viteve të kaluara, por paratë të kalohen në llogari prindërve e më pas ata t’i blejnë vetë, Nagavci ka thënë se mundëson një reformë që do të sigurojë tekste cilësore, transparencë dhe llogaridhënie për këtë proces.

Leave a Reply

Your email address will not be published.