Në orët e para të së enjtes është djegur bredhi i Vitit të Ri, që ishte vendosur në oborrin e komunës së Hanit të Elezit.
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
“Me daten 28.12.2023 rreth ores 02:23 kemi pranuar një informatë se Bredhi i Vitit të Ri, i vendosur në oborrin e komunës së Hanit të Elezit ishte kapluar nga zjarri. Patrulla e policisë ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërkohë që edhe një ekipë e zjarrëfikësve ka lokalizuar zjarrin. Lidhur me rastin ështē njoftuar edhe prokurori kujdestarë dhe është inicuar një rast “Shkaktim i rrezikut të përgjithshem”. Ndërsa në rast janë kyçur edhe njësia e hetimeve, të cilët po e hetojnë rastin.”
Po ashtu, Veseli bëri të ditur se sot janë vërejtur disa mbishkrime “Viti i Ri nuk është e jona, mos festo festat e jomyslimanëve”.
Ai tha se është duke punuar për të identifikuar të dyshuarit.
“Me datën 28.12.2023 rreth orës 09:30 policia e stacionit në Han të Elezit , policët patrullues kanë vëretjur se në disa rrugë ishin vendosur disa afishe me mbishkim ,,Viti i ri nuk është e jona, mos festo festat e jo myslimanëve’’. Policia e stacionit i ka marrë veprimet e nevojshme dhe është duke punuar intenzivisht në identifikimin e personit/personave të dyshuar. Në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj është inicuar rast për hetim ” Nxitje e përqarjea dhe mosdurimit””, tha Veseli.