Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka pritur këtë të enjte në takim homologun e saj nga Mbretëria e Bashkuar, David Cameron.
Pas takimit, krediplomatja në një konferencë për media ka thënë se homologun e saj e ka falënderuar për mbështetjen që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë Kosovës vazhdimisht, para dhe pas luftës.
“Por, vura në pah edhe rolin qendror që ka pasur Mbretëria e Bashkuar në ndaljen e gjenocidit të Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës në vitin 1998 dhe 1999. Kosova për këtë do të jetë mirënjohëse përjetë”, ka deklaruar Gërvalla.
Ajo tutje është shprehur se demokracia dhe sundimi i ligjit duhen zbatuar konkretisht.
“Nuk duhet të mjaftohemi thjesht me fjalë të bukura., Recetat e vjetra para sulmit të Rusisë kundër Ukrainës për zgjidhje të konflikteve nuk funksionojnë më”.
Ministrja po ashtu ka deklaruar se perëndimi ka qenë gjithnjë i suksesshëm atëherë kur ka pasur një qëndrim të qartë dhe të vendosur.
“Perëndimi ka qenë i fortë politikisht dhe ekonomikisht kur ka vepruar me vendosmëri dhe bazuar në parimet e tij të palëkundshme përball një Moske agresive dhe jo me kompromise të dobëta”.
Gërvalla ka theksuar se Mbretëria e Bashkuar për Kosovën është partner tejet i rëndësishëm në NATO.
“Rëndësi të veçantë marrëdhëniet tona nuk kanë vetëm në fushën e sigurisë, por edhe në diplomaci”, është shprehur ajo.
Cameron ka qenë kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar gjatë viteve 2010-2016 ndërsa aktualisht ushtron detyrën e ministrit të Jashtëm.
DTV