Kushtetuesja shpejt duhet ta thotë fjalën e saj për Asociacionin, Bislimi e shpall “jokompetente” dhe “jokredibile”

Qeveria s’do ta zbatojë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese, por vetëm ato që i duken të drejta, paralajmëroi dje Besnik Bislimi. Zëvendëskryeministri i dha epitete si “jokomptente” dhe “jokredibile” gjykatës kryesore në vend, nga e cila, ai dhe kryeministri Albin Kurti presin “ndihmë” për vlerësimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti më 26 tetor u shpreh i gatshëm në takimin me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, që të nënshkruante për themelimin e Asociacionit, sipas propozimit që ndërkombëtarët ia kishin sjellë paraprakisht në Prishtinë.

Të nesërmen, Kurti së bashku me zëvendësin e tij, Besnik Bislimin dolën në një konferencë për media, ku një gjë e theksuan si lajmin më të mirë në çështjen e formimit të kësaj bashkësie komunash.

“Aty parashihej që ta kontrollonte Gjykata Kushtetuese menjëherë, pra që Gjykata Kushtetuese jep vlerësimin për kushtetutshmërinë e këtij propozimi si përgjigje”, pati thënë Kurti.

Edhe Bislimi e pati thënë të njëjtën gjë, duke përmendur se hartuesit e draft-statutit të Asociacionit janë kujdesur që dokumenti ta respektojë edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2015 për këtë çështje.

Ndërsa shpreheshin se s’janë kompetentë për të konstatuar nëse propozimi e shkel apo jo Kushtetutën, shpreheshin të lumtur që këtu vlerësimi do t’i lihej Gjykatës.

Këtë gjykatë, që është autoriteti përfundimtar në vend për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën, Bislimi e sulmoi të mërkurën. Në “Radio Gorazdevac”, një medium lokal serb në Gorazhdec të Pejës, Bislimi tha se Kushtetuesja “është e njohur për marrjen e vendimeve të diskutueshme”.

“Gjykata jonë Kushtetuese është e njohur në prodhimin e dokumenteve/vendimeve kontraverse dhe këtë e shohim në baza ditore sepse besojmë që atyre u mungon kompetenca dhe kredibiliteti. Dhe ky s’është i vetmi vendim i kushtetues që s’ka mundur të gjejë zbatim”, tha Bislimi, kur u pyet për moszbatimin e vendimit të kësaj gjykate për pronat e Manastirit të Deçanit.

Duke thënë më tej se Lëvizja Vetëvendosje i fitoi zgjedhjet duke premtuar drejtësi, ai paralajmëroi se Qeveria s’do t’i zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, në rast se i duken të padrejta.

“Pra, kurdo që Qeveria beson se po i keqshërbejnë drejtësisë atëherë është e vështirë të veprojmë në pajtim me këso vendime. Është vështirë të veprojmë në bazë të tyre. Nuk është se po i mohojmë”, tha ai.

Zëvendëskryeministri tha se Gjykata Kushtetuese merr vendime që janë “produkt i një mjedisi të korruptuar”.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, shkroi të mërkurën në Facebook se “kredibiliteti i kësaj Gjykate është aq i lartë sa ka rrëzuar dy presidentë nga zyra dhe një qeverie ia ka mbyll mandatin pas gjashtë muajsh”.

“Bash kjo Gjykatë, me vendimin e saj, ka krijuar ambieent që VV t’i fitojë zgjedhjet. Gjykatësi që e solli këtë vendim. është këshilltar i madh te Presidentja Osmani – Sadriu”, shkroi Haziri, sipas të cilit Qeveria po bën “kualifikime të rënda”, duke shkaktuar “pasiguri juridike” te qytetarët.

Kryeministri Albin Kurti, por edhe ministrat, sidomos minisrtja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e kanë sulmuar disa herë Gjykatën Kushtetuese, kur ajo ua ka rrëzuar disa ligje dhe nene, të cilat ka konsideruar se biejnë ndesh me Kushtetutën.

Leave a Reply

Your email address will not be published.