A ndikojnë në rritjen e trurit ushtrimet fizike?

Një studim i ri zbuloi se ushtrimet fizike për 10 minuta, tri herë në javë, janë të mjaftueshme për të rritur volumin e trurit tuaj. Pas ekzaminimit të skanimeve të trurit MRI të më shumë se 10,000 njerëzve, shkencëtarët në Kanada dhe SHBA zbuluan se ata që ushtroheshin rregullisht kishin tru më të madh.

Kjo është parë veçanërisht në fushat që rregullojnë informacionin dhe përpunimin e kujtesës, perceptimin ndijor, kontrollin e muskujve dhe vendimmarrjen, sipas një raporti të publikuar në Mail Online.

Ekspertët thanë se kryerja e vetëm 4000 hapave mund të ketë një efekt pozitiv në shëndetin e trurit.

Disa nga llojet e aktivitetit fizik që patën këtë efekt përfshinin vrapimin, ecjen dhe sportet ekipore. Në studim, Dr Cyrus Raji, studiuesi kryesor, tha: “Kërkimi ynë mbështet studimet e mëparshme që tregojnë se të qenit fizikisht aktiv është i mirë për trurin tuaj. Ushtrimi jo vetëm që ul rrezikun e demencës, por gjithashtu ndihmon në ruajtjen e madhësisë së trurit, gjë që është thelbësore ndërsa plakemi.”

Për të eksploruar lidhjen midis ushtrimeve rreth dy deri në tre ditë në javë dhe efekteve në vëllimin e trurit, shkencëtarët ndanë mbi 10,000 pjesëmarrës në dy grupe, një grup që ushtrohej dhe një grup që nuk ushtrohej.

Grupi i parë ushtrohej mesatarisht dy deri në tre ditë në javë, ndërsa tjetri më rrallë se kaq ose aspak.

Rreth tre të katërtat e pjesëmarrësve në studim u angazhuan në aktivitet fizik të moderuar deri në të fuqishëm si çiklizmi, noti dhe ecja katër herë në javë mesatarisht për të paktën 10 minuta në ditë.

Sa më shumë që një person ushtrohej, aq më i madh shfaqej vëllimi i trurit të tij në skanimet MRI.

Dr David Merrill, bashkëautor i studimit dhe drejtor i Qendrës së Shëndetit të Trurit të Institutit të Neuroshkencës së Paqësorit, tha: “Ne zbuluam se edhe nivelet e moderuara të aktivitetit fizik, si kryerja e më pak se 4000 hapave në ditë, mund të kenë një efekt pozitiv në shëndetin e trurit.”

Leave a Reply

Your email address will not be published.