Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës ka njoftuar se pas bisedimeve të vazhdueshme me menaxhmentin e KEK-ut, është arritur përparim i rëndësishëm në rrugën drejt një kompensimi për punën që bëjnë punonjësit.
Sipas kësaj sindikate, bordi ka miratuar një bonus prej 300 eurosh neto për fundvit, si dhe një rritje të pagave prej 70 eurosh që do të nisë nga janari.
“Bordi ka miratuar një bonus prej 300 eurosh neto për fundvit, si dhe një rritje të pagave prej 70 eurosh që do të nisë nga janari. Megjithatë, kjo nuk përmbush plotësisht pritjet tona. Mirëpo, si rezultat i këtij realizimi të pjesshëm, protesta e paraparë për datën 28.12.2023, me vendim të Kryesisë anulohet”, ka shkruar kjo sindikatë në Facebook.
“Ne vazhdojmë të përkushtohemi për qëllimet tona dhe inkurajojmë mbështetjen tuaj në këtë fazë të negociatave. Bashkësia jonë është forca jonë kryesore në këto momente”, ka shtuar sindikata.