Prodhuesi kinez i veturave, BYD, ka kaluar kompaninë amerikan Tesla, duke e bërë atë prodhuesin më të madh të veturave elektrike në botë në tremujorin e fundit të vitit të kaluar.
Në periudhën nga tetori deri në dhjetor, BYD shiti numër rekord veturash (525.409). Tesla ka shitur 484.507 vetura në atë periudhë, që është gjithashtu shitje rekord tremujore për këtë prodhues.
Megjithatë, kur bëhet fjalë për shitjet gjatë gjithë vitit të kaluar, BYD shiti 1.5 milionë vetura elektrike, ndërsa Tesla shiti 1.8 milionë vetura elektrike. Rritja e shitjeve të BYD-it më 2023 krahasuar me 2022 ishte 73 për qind. Përveç kësaj, prodhuesi kinez shiti 1.44 milionë vetura hibride vitin e kaluar.
Diferenca në numrin e veturave elektrike të shitura në favor të Teslas është ulur ndjeshëm. Kjo diferencë arriti në 230 mijë vetura në vitin 2023, ndërsa një vit më parë ishte 400 mijë.
BYD, aksioneri i së cilës është miliarderi amerikan Warren Buffet, është simbol i industrisë në rritje të automjeteve elektrike të Kinës. Siç raportohet nga CNN, Kina po bën përparim të shpejtë në kalimin e saj drejt automjeteve elektrike falë mbështetjes së fortë të qeverisë. Autoritetet e Bashkimit Evropian kanë nisur hetim mbi subvencionet shtetërore për prodhuesit kinezë të automjeteve elektrike.