Lirohen 12 zyrtarët e ATK-së dhe biznesmeni nga Prizreni, u caktohet kjo masë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër 13 personave të cilët u arrestuan nën dyshimin për korrupsion, 12 prej të cilëve janë zyrtarë të Administratës Tatimore të Kosovë.

Atyre u është caktuar masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar. Në rast se nuk e respektojnë këtë masë, atëherë do t’u zëvendësohet me paraburgim.

Ata dyshohen për dokumente të rrejshme, mashtrim në detyrë. Sipas Prokurorisë, të pandehurit kishin pranuar në institucionin e ATK-së 23 fatura fiktive nga një pronar biznesesh në Prizren, i identifikuar me iniciale F.P. Ky i fundit, sipas Prokurorisë, kishte aplikuar për rimbursim nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) me fatura fiktive që arrinin vlerën prej 18 milionë eurosh. Rimbursimi pastaj do të bëhej në vlerë prej 2.8 milionë eurosh.

“Të pandehurve iu ndalohet qasja dhe ofrimi në objektet e institucionit qëndror të ATK-së e duke përfshirë edhe të gjitha regjionet e saj në largësinë prej 500 (pesëqind) metra, gjithashtu të pandehurve punonjës të ATK-së tani iu ndalohet kontakti dhe ofrimi me të pandehurin F.P dhe bizneseve të tij, në largësi prej 500 (pesëqind) metra. Mosrespektimi i kësaj mase nga ana e të pandehurve do të zëvendësohet me masën e paraburgimit”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë:

Prishtinë, 11 Janar 2024 – Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda  ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale, i pandehuri F.P, për veprën penale Dokumentet e rrejshme lidhur me tatimin nga neni 308 paragrai 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së si dhe veprën penale Shmangia nga tatimi nga neni 307 paragrafi 3 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, të pandehurve N.B, M.Z, S.T dhe A.J për shkak të veprës penale në bashkëkryerje Mashtrimi në detyrë nga neni 419 par 4 lidhur me paragrafi 1 dhe nenin 31 të KPRK-së, të pandehurve M.R, M.Z, M.B dhe Xh.H për shkak të veprës penale në bashkëkryerje Mashtrimi në detyrë nga neni 419 paragrafi 4 dhe paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe të pandehurve G.Gj, A.P, V.K, A.R dhe Xh.H për shkak të veprës penale Mashtrimi në Detyrë nga neni 419 paragrafi 4 dhe paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Gjyqtari i procedurës paraprake e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër trembëdhjetë të pandehurve si të pabazuar dhe të njëjtëve konform nenit 175 të KPPRK-së, iu ka caktuar masën e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar.

Të pandehurve iu ndalohet qasja dhe ofrimi në objektet e institucionit qëndror të ATK-së e duke përfshirë edhe të gjitha regjionet e saj në largësinë prej 500 (pesëqind) metra, gjithashtu të pandehurve punonjës të ATK-së tani iu ndalohet kontakti dhe ofrimi me të pandehurin F.P dhe bizneseve të tij, në largësi prej 500 (pesëqind) metra. Mosrespektimi i kësaj mase nga ana e të pandehurve do të zëvendësohet me masën e paraburgimit.

Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës  Themelore në Prishtinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.