Sipërmarrësi i njohur Waldman takon ministrat dhe komunitetin e TIK-ut, i njofton me potencialin për të investuar në Kosovë

Të premten për vizitë në vendin tonë ishte sipërmarrësi i njohur izraelit Eyal Waldman, themelues i kompanisë Waldo Holdings dhe ish – Kryeshef Ekzekutiv i kompanisë Mellanox, biznese këto me prani në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëri të Bashkuar dhe Izrael.

Waldman është pritur në takim të premten në Prishtinë nga ministrin e Financave, Hekuran Murati, pastaj ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli e cila në takim kishte edhe përfaqësues nga komuniteti ynë i TIK-ut.

Në njoftimin e Ministrisë së Financave thuhet se Murati dhe Waldman kanë diskutuar mundësitë për thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Izraelit, me theks të veçantë tek eksperienca shumëvjeçare e Waldman në fushat e inovacionit dhe teknologjisë informative.

“Ministri Murati e njoftoi Waldman për përparimin e Kosovës në fushën e teknologjisë dhe me kushtet e të bërit biznes që ofron vendi.

Gjithashtu, ministri Murati shprehu gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar me bizneset izraelite në projekte të përbashkëta që kontribuojnë në rritjen e investimeve dhe shkëmbimeve tregtare”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, sipërmarrësi Waldman njoftoi Muratin mbi punën e kompanisë së tij si dhe potencialin për të investuar në Kosovë për të shfrytëzuar potencialin ekonomik që ofron vendi.

Lidhur me takimin me biznesmenin izraelit ka shkruar edhe ministrja Artane Rizvanolli.

“Ishte kënaqësi të prisja në drekë pune sipërmarrësin dhe liderin e teknologjisë, Eyal Waldman, nga Izraeli, për ta njoftuar me përfaqësues nga komuniteti ynë i TIK-ut.

Pas këtij takimi, jam edhe më e motivuar dhe e bindur për zhvillimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona, në nivel institucional e të biznesit, në sektorin e TIK-ut dhe jo vetëm”, thuhet më tej.

DTV

Leave a Reply

Your email address will not be published.