Blendi Mustafa u dëgjua sot në cilësinë e dëshmitarit në Gjykatën e Pejës, për rastin tragjik të 26 nëntorit të vitit 2021, ku 3 viktima kishin mbetur pasi autobusi ku ishte edhe dëshmitari ishte prezent, ishte sulmuar me kallashnikov në fshatin Gllogjan.
Për këtë rast akuzohen Halil, Kastriot e Kreshnik Mehmetaj, me motivin e hakmarrjes sipas dosjes të prokurorisë, ndaj shoferit të autobusit.Dëshmitari i sotëm rrëfeu detaje lidhur me natën kritike, duke dhënë edhe përshkrime të sulmuesit.“Ka pasur jakne të zezë, çizme të gjata, e pantolla të gjerë.
Në krahun e djathtë e ka pasur një shirit të gjelbërt dhe një kapele në kokë. Nuk më kujtohet lloji i kapelës, dhe fytyrën nuk ia kam parë”- rrëfeu ai.
Ai dha detaje edhe mbi gjatësinë e tij. “Ka pasur një gjatësi normale, 1.70 cm, dhe një peshë normale”- tha dëshmitari.Ai shtoi se sulmuesi kishte dalë para autobusit në mes rrugës me një ecje “jonormale”, kurse autobusi kishte ngadalësuar shpejtësinë.
Dëshmitari thotë se kishte qenë në ulësen e parë të autobusit, nga ana e kondukterit në krahun e majtë të ulëseve. Atij nuk iu kujtua nëse të shtënat ndaj autobusit kishin qenë me ndërprerje apo në mënyrë të vazhdueshme.
Në këtë sulm kishin mbetur të vrarë shoferi i autobusit dhe dy nxënës të moshës 16 vjeçare. Në këtë seancë u bë e ditur se dëshmitarit në fazën hetimore i ishte prezantuar një foto-album me disa fotografi të njerëzve, në mesin e të cilëve kishin qenë edhe familjarë të familjes Mehmetaj.
“Ka pasë shumë njerëz, më kujtohet se e kam njoft dikënd prej familjes Mehmetaj, por nuk më kujtohet kush ka qenë” – tha ai për këtë. Lidhur me këtë foto-album, reagoi avokatja Kosovare Kelmendi e cila mbron të akuzuarin Kastriot Mehmetaj. Ajo tha se procesverbalin e këtij intervistimi me fotografi nuk e kishte në shkresat e lëndës.
“Dua sqarim nga ana e prokurorisë, pse nuk është ky procesverbal dhe fotoalbum në shkresat e lëndës, para se të filloj me pyetjet. Nuk jemi profetë me ditë çka autorizoni në hetime”– tha ajo. Gjykatësja Violeta Husaj- Rugova i tha avokates të kontrollojë shkresat e lëndës.
Dëshmitari nuk kishte arritur ta identifikonte sulmuesin në bazë të atyre fotografive, e as nëse ndonjëri nga të akuzuarit në këtë rast ishte në atë fotoalbum.
Motivi i vrasjes sipas prokurorisë
Kjo vrasje dyshohet se është bërë për qëllime hakmarrëse ndaj shoferit të vrarë G. Gj., duke e lidhur këtë vrasje me vetëvrasjen e H. M. në vitin 2020, e cila ishte bija e të akuzuarit Halil Mehmetaj.
Sipas prokuorisë, për këtë vetëvrasje që kishte ndodhur në familjen Mehmetaj, këta të fundit e kishin fajësuar të ndjerin, shoferin G. Gj. Edhe gruaja e shoferit të ndrejë kishte dhënë dëshminë e saj, por seanca ishte mbyllur për publikun për shkak të ndjeshmërisë së rastit.
Halil Mehmetaj, sipas prokurorisë është betuar për hakmarrje tek varri i vajzës së tij kur e ka varrosur, duke vënë orën e dorës së tij në arkivolin e vajzës. Sipas dosjes, Kreshnik e Kastriot Mehmetaj kishin planifikuar vrasjen dhe kishin ndarë detyrat, për mënyrën dhe kohën e kryerjes së vrasjes, kurse babai tyre i kishte shtyrë në këto veprime.
Asnjëri nga të akuzuarit nuk e ka pranuar fajësinë për këtë.Në këtë gjykim janë dëgjuar rrëfimet e prindërve të nxënësve të vrarë në natën kritike. Beqë Hamzaj dhe Florim Mustafaj kanë dhënë rrëfimet e tyre për ngjarjen kritike që u humbi jetën fëmijëve të tyre 16 vjeçarë.
Lidhur me hakmarrjen në fjalë për të cilën prokuroria po dyshon si motiv të vrasjes, Beqë Hamzaj kishte thënë se vrasja e fëmijëve ishte bërë për ta mbuluar hakmarrjen. Mbrojtja e të akuzuarve këtë motiv e kishte cilësuar si hetim të gabuar e veprime të ngutshme, duke u bazuar sipas tyre në spekulime dhe thashetheme të fshatit, të cilat e kanë orientuar gabimisht Prokurorinë në ndriçimin e rastit.
Për këtë rast, provat të cilat prokuroria thotë se do e mbështesë akuzën e saj janë dëshmitë e dëshmitarëve, provat materiale, ku përfshihen skica, kamera të sigurisë e përgjime të bisedave mes të akuzuarve.
Aktakuza e ngritur nga Prokuroria e Pejës ishte bërë publike përmes një konference nga ky insitucuon në maj të këtij viti, ku u shpalosën detaje mbi veprimet hetimore të ndërmarra .Ngjarja e ndodhur në Gllogjan ishte konsideruar tronditëse edhe për opinionin publik. Arrestimi i të akuzuarve kishte ndodhur vetëm disa ditë pas ngjarjes së rëndë.Akuza përfaqësohet nga prokurorja e rastit Sahide Gashi.
Ky rast gjykohet nga trupi gjykues i përbërë nga Violeta Husaj- Rugova, Shaqë Curri dhe Leon Përlaska.