Veç raketave Javelin Kosovës i vjen ‘pako’ edhe trajnimi i ushtarëve të FSK-së

Kosova ka bërë kërkesë për blerjen e 246 raketa kundërtanke “Javelin” në vlerë prej 75 milionë dollarësh që prodhohen nga SHBA-ja.

Këtë mbrëmë e ka konfirmuar edhe Departamenti amerikan i Shtetit duke e cekur se kjo vjen si mbështetje e ShBA-së për përmirësimin e sigurisë dhe avancimin e aftësive mbrojtëse të Kosovës.

Lidhur me këtë çështje ka folur edhe zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes, Liridona Gashi e cila ka thënë se në kuadër të kësaj blerje përfshihet edhe trajnimi i ushtarëve për përdorimin e këtyre raketave.

Gashi ka theksuar se blerja që do të bëhet për sistemin raketor “Javelin”, përfshinë dhe trajnimin e ushtarakeve të FSK-së, si pako e plotë.

“Çdo blerje përmes programit të FMS përfshinë dhe trajnimin e ushtarakeve në përdorimin e tyre. Pra edhe në ketë rast pagesa që do të bëhet për sistemin raketor “Javelin” përfshinë dhe trajnimin e ushtarakeve të FSK-së, si pako e plotë”, është shprehur ajo.

Në muajt e fundit, ushtria serbe disa herë ka lëvizur trupat drejt kufirit me Kosovën, teksa u regjistruan disa incidente në veriun e Kosovës, përfshirë edhe një sulm të armatosur nga një grup serbësh ndaj Policisë së Kosovë në Banjskë të Zveçanit.

SHBA-ja ka thënë se dhuna e parë në Banjskë, ku u vra një polic i Kosovës dhe gjatë përleshjeve që pasuan u vranë dhe tre sulmues serb, nuk do të lejohet që të përsëritet.

Kosova edhe në të kaluarën ka blerë ose ka pranuar në formë donacioni armë nga Shtetet e Bashkuara.

Leave a Reply

Your email address will not be published.