Presidenti i Serbisë, Aleksander Vucic, në një konferencë për media ka folur për kërkesat e Kosovës për blerje të armatimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për pajisjet ushtarake që FSK-ja ka në dispozicion.
Vuçiq ka thënë se edhe përkundër faktit që Reozluta 1244 “nuk e lejon”, Ushtria e Kosovës ka 223 vetura të blinduara bashkë me veturat e Policisë së Kosovës.
Vuçiq tutje ka përmendur edhe llojet e veturave të blinduara që ka Kosova, duke përmendur firmat britanike, amerikane por edhe ato turke.
Siç pretendon presidenti serb, Kosova synon që të rrisë numrin e veturave të blinduara në gjithsejtë 350 dhe gjithashtu të ketë 5 mijë e 500 ushtarë profesional dhe 20 mijë rezervistë deri në vitin 2027. Sipas Vuçiqit “ky është plani” i Kosovës dhe SHBA po e mbështet.
“Duan të rrisin numrin në 350 autoblinda, duan të kenë 5500, siç thonë ata, ushtarë profesionistë në FSK dhe 20 mijë të tjera në rezervën e parë në 2027, këto janë planet e tyre. Nuk ka surpriza për ne, Amerika po prin. Amerika po e udhëheq atë, ekspertë të mëdhenj, njerëz seriozë po e bëjnë këtë, ata do të jenë mendërisht, fizikisht dhe organizativisht, shumë, shumë të gatshëm. Amerikanët dhe NATO-ja po e bëjnë në mënyrë jashtëzakonisht serioze dhe të përgjegjshme”, ka thënë Vuçiq.
Ai ka thënë se Serbia s’mund të qëndrojë si e verbër përballë këtyre zhvillimeve në rajon.