/

Vendimi i Presidentes Osmani: S’do ta bëjë Blerim Isufajn Kryeprokuror, e kam njoftuar Këshillin Prokurorial, pse po e pritni dekretin?

“Këshilli Prokurorial është i njoftuar dhe atë në takimin e fundit që kemi pasur me ta. Është absurde që të pritet të dekretohet një proces, i cili është duke u kontestuar në gjykatat e Kosovës. Kjo nuk ndodh në një vend ku sundon ligji. E unë jam presidente që e respektoj ligjin dhe kushtetutën”, ka thënë ajo para mediave, pas një ngjarjeje në aksin rrugor tek Aeroporti Ndërkombëtar të Prishtinës.

Sot, Presidentja tha se e ka njoftuar KPK-në të mos presin dekretim nga ajo. Presidentja Vjosa Osmani nuk po merret ende me propozimin e Këshillit Prokurial për ta dekretuar Blerim Isufajn si Kryeprokuror të Shtetit. Ky propozim iu dorëzua asaj tash e gjashtë muaj.

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), i tha se përveç Gjykatës Kushtetuese apo gjykatat e tjera, nuk ka tjetër mekanizëm që mund ta detyrojë Presidenten ta marrë një vendim për këtë çështje.

Kjo gjykatë më 4 korrik i shpalli të papranueshme kërkesat e dy kandidatëve për kryeprokuror, Shqipdon Fazliut dhe Armend Hamitit, të cilët kishin kontestuar kushtetutshmërinë e vendimit të 6 prillit 2022 të Këshillit Prokurorial të Kosovës për propozimin e Blerim Isufajt në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

“Në Kosovë, përjashto vendimet potenciale të Gjykatës Kushtetuese apo të gjykatave të rregullta që mund të obligojnë jo vetëm Presidentin por edhe secilin institucion tjetër kushtetues dhe ligjor të veprojnë për një situatë të caktuar për të cilën këto organe kanë vendosur sipas meritës, nuk ka ndonjë mekanizëm tjetër që të detyrojë Presidenten të veproj lidhur me procesin që është aktualisht duke pritur në Presidencë”, tha Ehat Miftaraj.

Instituti i Kosovës për Drejtësi, si pjesë e organizatave jo-qeveritare që e kanë monitoruar procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit si e ka cekur edhe në dy publikime, vazhdon të jetë “në qëndrimin se ky proces nuk i ka përmbushur parimet e meritokracisë, pavarësisë dhe paanshmërisë, duke kompromentuar tërë procesin”, thotë ai.

Ndonëse Kushtetuta dhe ligjet që e rregullojnë sistemin prokurorial nuk përcaktojnë afate për Presidenten se deri kur mund të vendos lidhur me propozimin e KPK-së, Miftaraj thotë se “pritjet legjitime janë që Zyra e Presidentes të vendos për këtë çështje brenda një afati të arsyeshëm kohor duke marr për bazë kompleksitetin e këtij procesi si dhe procedurat e ankimimit të kandidateve, qoftë në Gjykatën Kushtetuese apo në gjykatat e rregullta”.

Para se Kushtetuesja ta shpallte vendimin për ankesat e dy kandidatëve që ishin renditur në pozitën e dytë dhe të katërt në garën për kryeprokuror, nga Presidenca kishin thënë se ishin duke e pritur këtë.

Shqipdon Fazliu dhe Armend Hamiti më 28 prill dhe 6 qershor respektivisht iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se vendimi i KPK-së për përzgjedhjen e Blerim Isufajt i kishte shkelur të drejtat dhe liritë e tyre të garantuara me Kushtetutë dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, në veçanti Gjermania, e kishin konsideruar befasuese, zhgënjyese dhe shqetësuse, mënyrën se si Këshilli Prokurorial e ka zgjedhur Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL, kishin reaguar gjithashtu në prill, duke i kërkuar presidentes Vjosa Osmani që të mos e dekretojë Isufajn, pasi e konsideruan të papranueshëm propozimin e KPK-së. Këto organizata i kërkuan presidentes që t’i ketë parasysh mangësitë e theksuara në këtë proces.

Kur Lumezit i përfundoi mandati shtatëvjeçar në prill, KPK e caktoi Besim Kelmendin ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.