Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla, të mërkurën kanë bërë homazhe pranë varreve të Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës në 42-vjetorin e vrasjes së tyre.
E para e shtetit, Vjosa Osmani, tha se kjo vrasje rizgjoi ndjenjën e e miliona shqiptarëve në botë.
“17 janari është ditë e humbjeve të mëdha për popullin shqiptar, për Kosovën në veçanti. Në këtë datë 42- vite më parë janë vrarë në Gjermani Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, duke i dhënë kështu një goditje të madhe sakrificës së popullit tonë për liri por njëkohësisht duke e rizgjuar ndjenjën e atdhetarizmit dhe sakrificës së miliona shqiptarëve gjithandej, të cilët me vite më radhë kontribuuan për lirinë e Kosovës”, u shpreh Osmani.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, kishin synim lirinë e Kosovës, teksa i quajti pararendësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ata kishin dy qëllime madhore të cilat kanë peshë dhe rëndësi për historinë e Kosovës: e para ata u përpoqën të gjitha organizatat ilegale të cilat kishin synim lirinë e Kosovës dhe e dyta ishte që kjo liri të vinte përmes çlirimit dhe këto qëllime kanë vazhduar përgjatë gjithë kohës dhe unë padyshim do t’i quaja si pararendësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës sepse ata kanë peshë të rëndë për lirinë e Kosovës”, u shpreh Konjufca.