Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate kanë bërë një deklaratë të përbashkët, duke shpallur partneritetin për zgjedhjet parlamentare të ardhshme. Kjo vjen pas një marrëveshjeje të arritur mes dy forcave politike, duke theksuar nevojën për të bashkuar forcat “për të parandaluar degradimin e shtetit.“
Në këtë partneritet, të dy partitë janë pajtuar që të formojnë “rreshtin e përbashkët” në marrëveshjen e koalicionit për zgjedhjet e ardhshme.
Gjithashtu, në dokumentin e marrëveshjes bëhet e ditur se AAK-ja dhe Nisma janë të hapura për të zgjeruar këtë koalicion, duke ftuar të gjitha partitë politike, nisma qytetare apo shoqata që përfaqësojnë sfera të ndryshme interesi që, siç thuhet aty, qëllim kanë “ndaljen e degradimit të shtetit, rikthimin e demokracisë si parakusht të një zhvillimi të qëndrueshëm e afatgjatë”.
“Të dyja partitë dakordohen që të krijojnë rreshtin e përbashkët për shtetin e Kosovës dhe përcaktohen të hapura për zgjerim të koalicionit me të gjitha ato parti politike, nisma qytetare apo shoqata që përfaqësojnë sfera të ndryshme interesi e që për synim kanë ndaljen e degradimit të shtetit, rikthimin e demokracisë si parakusht të një zhvillimi të qëndrueshëm e afatgjatë, si dhe integrimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike, kjo në partneritet të përhershëm me aleatët strategjikë, ShBA dhe BE”, thuhet në marrëveshjen e nënshkruar mes partive, të siguruar nga Dtv-ja.
Më tej aty thuhet se detajet e këtyre objektivave politike dhe aspekteve teknike do të përfshihen në një aneks të veçantë të marrëveshjes.
“Objektivat politike dhe aspektet teknike të këtij koalicioni, specifikohen me një aneks të veçantë që do t ‘i bashkohet kësaj marrëveshjeje”, thuhet në marrëveshje.
Sipas Deklaratës Politike të siguruar nga DTV, ndër synimet për krijimin e “Frontit të përbashkët” janë: përkushtimi për të ndaluar degradimin e marrëdhënieve me ShBA-në dhe BE-në, të cilat shihen si garanci për paqen, sigurinë dhe prosperitetin në Ballkanin Perëndimor, mos lejimi i rrezikimit të pavarësisë, mbrojtja e karakterit unitar të shtetit, ndalimi i logjikës që nxit konfliktet etj.
Deklarata e plotë: