Sot, pas erërave të forta çatia e objektit të ri të Komunës së Prishtinës në Arbëri ra në tokë. E nga çatia e këtij objekti e pësoi një vajzë 23 vjeçare. Ajo mori lëndime të rënda trupore.
Vajza u dërgua në Emergjencë për trajtim mjekësor dhe pas ekzaminimeve shtesë diagnostike, pritet të transferohet për trajtim të mëtejmë në Intensivë.
Kështu kanë bërë të ditur nga QKUK.
“Ju konfirmojmë se një paciente 23 vjeçare është duke u trajtuar në Klinikën Emergjente, me gjendje stabile por me lëndime të rënda trupore. Ekipi emergjent dhe ai klinikave diagnostike ka kryer disa nga ekzaminimet e nevojshme dhe pacientja do të jetë në mbikqyrje mjekësore. Pas 4 orëve pritet t’i kryhen ekzaminime shtesë diagnostike dhe të transferohet për trajtim të mëtejmë në Mjekimi Intensiv Qendror.”, tha zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci tha për Insajderin se kanë nisur punën për zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave.
“Rreth orës 13:00, është raportuar se në rrugën “Nora e Hotit” në Prishtinë, një person ka marrë lëndime si pasojë e goditjes nga materiale që janë shkëputur nga çatia e një objekti. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe mbështetur në informacionet e para është raportuar për një person të lënduar, femër, e cila është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor. Aktualisht policia ka nisur punën për zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, tha Borovci.